Victor Osimhen largohet zyrtarisht nga Napoli për të kaluar te Galatasaray. Pas javësh negociatash intensive, është dhënë "OK"-i përfundimtar dhe klubi turk është gati të dorëzojë garancitë bankare që do të mbyllin marrëveshjen.
Shuma totale e transferimit arrin në 75 milionë euro: 40 milionë do të paguhen menjëherë, ndërsa 35 milionët e tjerë në dy këste, të garantuara përmes një letre kredie nga Galatasaray. Nuk është përfshirë ndonjë përqindje për Napoli-n në rast rishitjeje të lojtarit, por ekziston një klauzolë “anti-Itali” deri në vitin 2027: nëse Galatasaray shet Osimhen te një klub italian brenda dy viteve, do të detyrohet të paguajë 30 milionë euro penalitet.
Për Osimhen-in ky është një rikthim në Stamboll, pas sezonit të fundit që e kaloi aty si i huazuar. Ai i ka refuzuar ofertat nga Juventusi, Milani, Premier League apo Arabia Saudite, duke zgjedhur Galatasaray-n si destinacionin e radhës.
Nga ana tjetër, Napoli arkëton një shumë të majme dhe presidenti Aurelio De Laurentiis tashmë ka lirinë financiare për të tentuar një tjetër goditje në merkato. Pasi ka sjellë në klub emra si De Bruyne, Lucca, Lang dhe Milinkovic-Savic, ai mund të rikthehet në sulm për Adem Lookman, edhe pse sulmuesi i Atalantës preferon një transferim tek Interi.
Ndërkohë, është zyrtarizuar edhe afrimi i Sam Beukema nga Bologna. De Laurentiis e konfirmoi në mënyrën e tij tipike me një postim në rrjetin “X”: “Benvenuto Sam”. Bologna gjithashtu njoftoi zyrtarisht kalimin e mbrojtësit holandez në Napoli me një marrëveshje përfundimtare.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: