Oleksandr Usyk konfirmoi edhe një herë statusin e tij si një nga boksierët më të mëdhenj të brezit të tij, duke mposhtur me nokaut Daniel Dubois në raundin e pestë të përballjes së zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në “Wembley Stadium”.
Ky triumf e bën ukrainasin 38-vjeçar kampion të padiskutueshëm të peshave të rënda për herë të dytë, duke e rikthyer atë në majën absolute të boksit botëror. Usyk e kishte mposhtur Dubois edhe dy vite më parë në Poloni me ndërprerje teknike, dhe këtë herë e konfirmoi dominimin me një tjetër fitore bindëse.
Përveç suksesit sportiv, të dy boksierët përfituan edhe financiarisht nga kjo përballje. Usyk fitoi plot 114 milionë euro, ndërsa Dubois arkëtoi 61 milionë euro, pavarësisht humbjes.
Këto shifra janë shumë më të larta krahasuar me përballjen e tyre të parë më 2013, kur Usyk fitoi pesë milionë dhe Dubois vetëm 1.7 milion euro.
Pas fitores së tij ndaj Tyson Fury në maj të vitit të kaluar, që i solli titullin e parë të padiskutueshëm në këtë divizion pas 24 vitesh, Usyk ishte detyruar të linte titullin IBF, çka i hapi rrugë Dubois të shpallej kampion i rregullt pas titullit të përkohshëm që mbante. Por në revanshin ndaj Fury-t në dhjetor, Usyk fitoi sërish me pikë, ruajti titujt e tjerë dhe tashmë rikuperoi edhe brezin e IBF, duke kompletuar edhe një herë koleksionin e plotë të titujve.
Kjo fitore e bën Usyk një kampion të padiskutueshëm për herë të tretë në karrierë, pasi më parë kishte mbajtur të gjitha brezat edhe në peshën ‘cruiser’, duke vulosur përfundimisht një trashëgimi të jashtëzakonshme në historinë e boksit profesionist.



© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: