Marcus Rashford është nisur drejt Barcelonës pasi ka arritur një marrëveshje me Manchester United për një huazim njëvjeçar, i cili përfshin edhe një opsion për blerje përfundimtare nga klubi katalanas.
Sulmuesi anglez, 27 vjeç, ka marrë lejen nga Man. United për të fluturuar në Barcelonë, ku do të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij. Rashford kishte identifikuar prej kohësh Barcelonën si destinacionin e tij të ëndrrave, që kur u bë e qartë se do të largohej nga “Old Trafford”, në janar, dhe tani ky synim po realizohet.
Barcelona do të mbulojë të plotë pagën e Rashford-it gjatë qëndrimit të tij në "Camp Nou", duke lehtësuar barrën financiare për United. Trajneri Hansi Flick ka zhvilluar biseda me lojtarin dhe ka dhënë miratimin për transferimin e tij.
Klubi katalanas ka qenë në kërkim të një sulmuesi krahu, veçanërisht për krahun e majtë, pas mungesës së alternativave gjatë pjesës së dytë të sezonit të kaluar.
Për Barcelonën, ky huazim me opsion blerjeje është zgjidhje ideale, duke marrë parasysh vështirësitë financiare që po kalon klubi. Rashford është ndër lojtarët më të paguar të United, me mbi 325 mijë paundë në javë, një barrë që tani do të hiqet tërësisht nga bilanci i klubit anglez.
Kujtojmë që Rashford kaloi pjesën e dytë të sezonit të kaluar i huazuar tek Aston Villa, ku shënoi katër gola në 17 paraqitje. Që prej debutimit të tij me Manchester United në vitin 2015, Rashford ka shënuar 138 gola në 426 ndeshje, ndërsa takimi i fundit me fanellën e kuqe ishte në dhjetor kundër Viktoria Plzen.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: