Në një nga ndeshjet më dramatike të këtij Europiani të futbollit për femra, Gjermania siguroi kalimin në gjysmëfinale pasi mposhti Francën pas penalltive, pavarësisht se luajti thuajse 110 minuta me një lojtare më pak. Në qendër të këtij suksesi qëndron emri i një gruaje të jashtëzakonshme: Ann-Katrin Berger.
Portierja gjermane shkëlqeu me një sërë pritjesh vendimtare, përfshirë një ndalim spektakolar mbi një autogol të mundshëm nga Janina Minge, një reagim që tashmë po cilësohet si “pritja e vitit”. Më pas ndaloi dy penallti, mes tyre edhe atë të Alice Sombath, që i dha fitoren Gjermanisë.

Por për Berger, ky sukses në fushë është vetëm një tjetër kapitull në një histori force dhe mbijetese. Në vitin 2017, asaj iu diagnostikua një tumor në tiroide, që iu rikthye edhe një herë në 2022, teksa përfaqësonte kombëtaren në Angli. Ajo nuk u dorëzua: “Nuk ishte një moment i lumtur, por ndaj për këtë bëj kontrolle të rregullta”, ka rrëfyer Berger për UEFA-n.
Pas rikuperimit, ajo u rikthye më e fortë se kurrë, si me klubin NY/NJ Gotham në SHBA, ashtu edhe me Gjermaninë. Në Lojërat Olimpike të Parisit vitin e kaluar, ajo shkëlqeu sërish, duke ndalur dy penallti ndaj Kanadasë, duke shënuar vetë një tjetër dhe më pas duke pritur një penallti nga Putellas në ndeshjen për vendin e tretë, duke i dhënë Gjermanisë medaljen e bronztë.

Tani, në këtë turne, Berger jo vetëm që ndaloi gjithçka që mund të ndalej, por shënoi edhe një penallti me gjakftohtësi, duke mbajtur në jetë shpresat e skuadrës që më pas u kualifikua përballë Spanjës.
“E vetmja gjë që kemi është e tashmja. Gjithmonë kam qenë ajo që jeton ditën. Kam mësuar të mos e marr shëndetin si të mirëqenë,” – u shpreh ajo për ‘womenseuro.com’. Tani, e vetmja kujtesë fizike nga sëmundja është një tatuazh pas veshit, që mbulon plagën e ndërhyrjes kirurgjikale, simbol i betejave të saj dhe i forcës së një kampioneje të vërtetë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: