Një ditë e paharrueshme në stadiumin "De Kuip" të Roterdamit, ku Feyenoord-i organizoi një ditë me dyer të hapura për të prezantuar afrimet e reja të kësaj vere. Festa ishte e plotë: stadiumi plot me tifozë, muzikë, atmosferë elektrizuese… por mungonin ende protagonistët kryesorë.
Pas disa minutash pritjeje, ndodhi momenti më spektakolar i ditës. Një helikopter me stemën e klubit u ul ngadalë në mes të fushës, ndërsa zemrat e tifozëve rrihnin fort nga emocionet. Në bord? Lojtarët e rinj të Feyenoord-it, të cilët bënë një hyrje "alla Hollywood", që do të mbahet mend gjatë në historinë e klubit.
Gaoussoy Diarra, Luciano Valente, Sem Steijn dhe më i përfoluri i merkatos, Gonçalo Borges, u pritën me ovacione nga mijëra tifozë entuziastë. Portugezi Borges sapo kishte firmosur me klubin dhe fluturimi me helikopter ndodhi vetëm pak minuta pas hedhjes së firmës.
“E gjitha ndodhi shumë shpejt. Firmosa para njëzet minutash,” u shpreh ai, sapo zbriti në fushë.
Kjo mënyrë prezantimi e lojtarëve i dha një tjetër dimension komunikimit me tifozët dhe tregoi ambicien e Feyenoord-it për të ndërtuar një skuadër të fortë dhe moderne, por edhe për të krijuar lidhje të veçantë me komunitetin.
Në Rotterdam nuk ishte vetëm një ditë prezantimesh, ishte një spektakël futbolli dhe emocioni, që la të kuptohet se në "De Kuip" po përgatitet diçka e madhe për sezonin e ri.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: