Marc Marquez po vazhdon të shkruajë një sezon dominues në MotoGP. Piloti spanjoll i Ducati-t fitoi me autoritet Çmimin e Madh të Çekisë në Brno, duke regjistruar fitoren e tij të tetë të dyfishtë Sprint-GP këtë sezon. Me një manovër vendimtare në xhiron e tetë, Marquez kaloi në krye të garës dhe nuk e la më atë, duke kaluar vijën e finishit i vetëm dhe i pakonkurrueshëm.
Pas tij, një Marco Bezzecchi mbresëlënës me Aprilia-n përfundoi i dyti, ndërsa vendi i tretë shkoi për Pedro Acosta-n me KTM, i cili arriti t’i rezistonte presionit të madh nga Pecco Bagnaia në fund. Bagnaia, që nisi nga ‘pole position’, nuk mundi të shfrytëzonte startin dhe e mbylli garën në vendin e katërt.
Marquez tani ka një avantazh prej 120 pikësh ndaj ndjekësit më të afërt, vëllai i tij Alex, i cili pati një fundjavë për t’u harruar, duke u rrëzuar pas vetëm disa xhirove në një incident që përfshiu edhe Honda-n e Joan Mir, i cili reagoi ashpër ndaj ngjarjes.
Bezzecchi dha maksimumin, udhëhoqi për tetë xhiro dhe bëri një paraqitje dinjitoze që tregon progresin e Aprilia-s këtë sezon. Gjithashtu, Jorge Martin, që rikthehej pas lëndimit, siguroi një vend të shtatë domethënës, duke marrë pikët e para me motorin e Noale.
Për Bagnaia-n, gara ishte e vështirë për t’u interpretuar: edhe pse nisi i pari, humbi shpejt terren dhe u kalua nga disa rivalë pa shumë rezistencë. Ritmi iu përmirësua vetëm në fund, por ishte tepër vonë për të kapur podiumin.
Pas tij u rendit Raul Fernandez me Aprilia Trackhouse, ndërsa Fabio Quartararo me Yamaha-n përfundoi në vendin e tetë. Top-10-shja u plotësua nga Aldeguer (Ducati Gresini), Binder dhe Espargaro (të dy me KTM). Ndërkohë, Luca Marini me Honda-n zyrtare arriti të merrte disa pikë me vendin e 12-të, ndërsa Di Giannantonio (me Ducati-n e vetëm të skuadrës V46 për shkak të mungesës së Morbidellit) u rendit i 16-ti.
Me këtë fitore, Marquez shkon në pushimin veror si lider absolut i sezonit, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë sfidën për titull nga ndjekësit.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: