'Pa fat, edhe penalltia ishte e dyshimtë', kapiteni i Dritës flet pas eliminimit

'Pa fat, edhe penalltia ishte e dyshimtë', kapiteni i Dritës flet pas eliminimit

08:44, 04/08/2023

 

Pavarësisht se shorti ishte tepër i vështirë, Drita, siç e ka bërë “zakon” në vitet e fundit, tregoi sërish vlera në Europë. Nënkampionët e Kosovës zhvilluan dy ndeshje shumë të mira përballë Viktoria Plzen në Conference League.

Barazim 0-0 në Çeki dhe 1-2 në “Fadil Vokrri”, me Dritën që ishte shumë afër kohës shtesë. Por një penallti e akorduar në minutën e 24-t shtesë (problemet në ndriçim shtynë takimin për disa minuta) i dhuroi fitoren Viktoria Plzen.

Mesfushori i skuadrës nga Gjilani, Rron Broja theksoi në prononcimin pas ndeshjes se Dritës i mungoi fati. Kapiteni e cilësoi tepër të dyshimtë edhe penalltinë që vendosi kualifikimin.

“Kemi bërë një paraqitje të mirë, por kemi pranuar një gol të lehtë me gabimin tonë. Në përgjithësi kemi luajtur mirë dhe fati na mungoi për të fituar.

Po ashtu, edhe penalltia ishte e dyshimtë. Bazuar në paraqitjen që patëm është dashur të fitojmë dhe të kalojmë tutje”, u shpreh i pezmatuar 27-vjeçari nga Mitrovica.

Broja ishte pjesë e Partizanit në Superiore në vitet 2019-2021. Ndërkohë që prej gushtit të vitit 2021 është pjesë e dardanëve të Dritës.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco