‘Kemi përgatitur diçka për të ndalur Haalandin’, Inzaghi para finales: Gati të shkruajmë historinë

‘Kemi përgatitur diçka për të ndalur Haalandin’, Inzaghi para finales: Gati të shkruajmë historinë

18:45, 09/06/2023

Në Stamboll gjithçka është gati për finalen e madhe të Champions League mes Manchester Cityt dhe Interit. Simone Inzaghi është vetëm një hap larg ëndrrës dhe në konferencën për shtyp në prag të kësaj supersfide ka motivuar lojtarët e tij si dhe ka dhënë përshtypjet për finalen.

“E dimë se çfarë ndeshjeje duhet të bëjmë. E dimë që City është skuadra më e fortë në botë dhe e ka treguar këtë gjë duke humbur shumë pak. Por ne dimë gjithashtu se çfarë rrugëtimi kemi bërë.

Jemi krenarë që kemi arritur deri këtu, për të bërë një ndeshje me një përqëndrim të jashtëzakonshëm, për të limituar gabimet, sepse përballemi me një kundërshtar shumë shumë të fortë.”

INTERI SI EKIPI JO FAVORIT- “ Kemi një lidhje të madhe si grup. Nesër do të jetë ndeshja jonë e 57-të sezonale. Një rrugëtimin e gjatë dhe që na ka lejuar të shkojmë tek ndeshja e nesërme. Kemi pasur momente të vështira të cilat na kanë bërë të rritemi, duke pësuar humbje të merituara dhe të pamerituara, e madje duke humbur lojtarë për një kohë të gjatë.

Djemtë janë treguar të zotë duke u bashkuar, duke dëgjuar pak nga ato që janë thënë dhe duke u impenjuar shumë për të arritur deri në Stamboll. Vetëm tani jemi duke e kuptuar se çfarë kemi bërë, por nuk jemi të relaksuar. Jemi të përqëndruar, do të luftojmë në çdo centimetër.”

MESFUSHA VEND FINALEN? “Mesfusha do të jetë e rëndësishme, por jo vetëm. Besoj se do të jenë të rëndësishme këmbët, koka dhe zemra. Këmbët për të vrapuar më shumë, koka për të qëndruar vigjilent në të gjitha momentet e ndeshjes, dhe zemra sepse në të tilla sfida është ajo që të bën të gjesh energji që nuk e mendon se i ke.”

NJË NDESHJE QË VLEN SA JETA- “Padyshim që po. Kemi një mundësi të madhe për të shkruar historinë e klubit tonë. E dimë që do të jetë shumë e vështirë, por do ta provojmë. Së bashku kemi arritur këtu dhe së bashku do të provojmë të bëjmë surprizën.”

EMOCIONET- “Jemi të qetë, më pas tensioni rritet kur afrohet ndeshja. E dimë se çfarë do të thotë kjo ndeshje për klubin dhe për tifozët, që nuk na kanë lënë kurrë vetëm. Derbi në gjysmëfinale ishte emblema e këtij sezoni, por pa harruar ndeshjet e tjera. Kjo skuadër ka 20 muaj që po më jep gëzim dhe kënaqësi. Ka shumë përgjegjësi për ndeshjen që do të bëjmë nesër. Djemtë janë të qetë dhe po stërviten mirë. Kemi ende disa dyshime për disa pozicione dhe disa lojtarë.

MKHITARYAN- “Mkhitaryan dje ka bërë stërvitjen e tij të parë plotësisht. Ka ndjeshmëri të mirë, por më duhet të vendos nëse do ta hedh në fushë që nga fillimi apo gjatë ndeshjes.”

PLANI ANTI-HAALAND- “E dimë forcën e Cityt dhe të Haalandit. Do të jetë një i vëzhguar special, si shumë lojtarë të tjerë. Kemi përgatitur diçka, por i takon të gjithë skuadrës për t’u mbrojtur dhe për të limituar Manchester Cityn.”

MBROJTJA E CITYT DHE PENALLTITË- “Penalltitë i kemi përgatitur gjatë gjithë vitit dhe do t’i provojmë edhe sot. Ka vëmendje maksimale. Mbrojtja e Cityt është solide. Në Champions ka pësuar pak. Ata ndërtojnë në një mënyrë dhe mbrojnë në një tjetër. Megjithatë, ne e dimë se me kë do të përballemi dhe kërkojmë të bëjmë një ndeshje që duhet bërë në një finale.”

DY EKIPET E TJERA ITALIANE I KANË HUMBUR FINALET- “Do të jetë e rëndësishme për të gjithë Italinë që ne të fitojmë. Na vjen keq për Romën dhe Fiorentinën që kanë bërë dy ndeshje të mëdha dhe kanë humbur. Këtë vit ka qenë një tregues i rëndësishëm që ka pasur tre skuadra italiane në finale, një sinjal i bukur për futbollin italian.

BROZOVIC APO MKHITARYAN- “Në dy muajt e fundit kam pasur mundësi zgjedhjeje, ndërsa në gjashtë muajt e parë nuk e kam pasur këtë mundësi dhe rezultatet janë parë. Për nesër do të vlerësojmë gjendjen e Mkhitaryan që mund të mos jetë në 100% të formës së tij. Në stërvitjen e fundit megjithatë, ka dhënë sinjale të mira, do të shohim.”

SPECIALIST I KUPAVE- “Trajnoj lojtarë që dinë se si të luajnë në ndeshje të tilla. Kemi kampionë bote, kampionë europe. Kemi një miksim të mirë. Duhet të kemi rrjedhshmëri dhe të menaxhojmë mirë detajet sepse janë ato që bëjnë diferencat në Finale”, përfundon Simone Inzaghi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco