Trajneri i Kombëtares analizon finalen e Championsit, Interi dhe City në ‘lupën’ e Silvinjos

Trajneri i Kombëtares analizon finalen e Championsit, Interi dhe City në ‘lupën’ e Silvinjos

12:20, 31/05/2023

Ka fituar tripletën me Barcelonën e Guardiolës dhe e ka mbyllur karrierën si lojtar te Manchester City, për të qenë më pas për dy vite asistent i Mancinit në stolin e Interit.

Sot trajner i Kombëtares sonë, Silvinjo, do ta ketë të vështirë që mbrëmjen e 10 qershorit të zgjedhë skuadrën të cilën do të përkrahë, ose të paktën nuk ka preferuar që të zbulojë të preferuarin e tij mes Manchester Cityt dhe Interit në deklaratën e bërë për “Gianlucadimarzio.com”.

“Fatkeqësisht nuk do të shkoj dot në Stamboll, por do të jetë një ndeshje e mrekullueshme mes dy skuadrave që luajnë futboll ndryshe”, e nisi fjalën braziliani që po bëhet për ta ndjekur sfidën nga televizori, ndërkohë që ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet që e presin Shqipërinë në qershor, ato ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.

Si dikush që ka pasur fatin të luajë dhe të triumfojë në një finale Champions-i, trajneri e di mirë sa i vështirë është rrugëtimi.

“Arritja në finalen e Champions League nuk është diçka që ndodh çdo ditë. Të dyja ekipet kanë bërë një rrugë të çmendur. Ndoshta harrojmë se Interi u kualifikua në një grup ku ishin Bayern Munchen dhe Barcelona, dy skuadra që fituan kampionatet e tyre përkatëse. Dhe pastaj kaluan një derbi në gjysmëfinale, me pak fjalë ndeshje aspak të parëndësishme”, u shpreh 49-vjeçari, që u ndal edhe në krahasimin mes dy filozofive të lojës, kujtimet me Cityn dhe pritshmëritë për finalen.

“Guardiola ka vite që jep leksione futbolli te City dhe çdo sezon shton diçka. Edhe lojtarët janë rritur shumë. Ndërsa Interi është një ekip vdekjeprurës. Mbrohet me 3-5-2, por ka lojtarë të fortë fizikisht për të mbyllur hapësirat dhe për të rifilluar me një tranzicion cilësor.

Për ta përmbledhur: janë një ekip reagues. Jam i bindur se do të jetë e vështirë edhe për Cityn të përballet me ta. Mos të mendojmë se Interi luan vetëm me top të gjatë dhe kundërsulme, jo, ata nisen shumë mirë dhe mund të bëjnë keq”.

Kujtimet e Cityn – “Kur përfunduam të pestët pas Tottenhamit në 2009-2010, pra jashtë Champions League, presidenti hyri në dhomën e zhveshjes pas ndeshjes së fundit dhe mori fjalën. Ne prisnim diçka të fortë, por jo, ai na tha se kishim bërë shumë mirë. Aty kuptova se ai po hidhte themelet e një dinastie fituese.

Ne lojtarët ishim të shkatërruar, por e kuptova që ekipi do të bëhej i madh. Tani Cityt i mungon vetëm Champions League, por nuk ka një recetë për ta fituar atë. Ne me Pepin fituam tripletën në Barcelonë, një trajner që na dha shumë në aspektin e ideve. Sot ai punon shumë edhe në fazën mbrojtëse, për mua është një gjeni i futbollit”.

FINALJA – “Thashë që nuk ka truk për të ngritur trofeun. Çdokush mund të fitojë në 90 minuta, kjo është bukuria e futbollit: luan 11 kundër 11 dhe pjesa tjetër vijon vetë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco