Këta janë futbollistët shqiptarë që fituan trofe në vende të ndryshme

Këta janë futbollistët shqiptarë që fituan trofe në vende të ndryshme

22:14, 25/05/2023

Nga pozitat për t’u rrëzuar një kategori më poshtë te titulli kampion në një shtet tjetër. Qazim Laçi u transferua në janar të këtij viti nga Azhakso te Sparta e Pragës.

Ekipi francez nuk ia doli dot të mbijetonte mes të mirave, por ndërkohë mesfushori i Kombëtares, i cili u largua në mes të sezonit, arriti një sukses në një shtet tjetër, pikërisht në Çeki, aty ku mbrëmjen e së martës fitoi titullin kampion me Spartën e Pragës, titulli i 37- të për ekipin, të cilët kishin plot 9 vite pa e fituar.

Barazimi pa gola ndaj Slovaçkos, ku Laçi luajti titullar, rezultoi vendimtar për të siguruar këtë sukses, kundër Slavia Pragës, ekipit që rivalizoi deri në fund.

Pas ndeshjes, skuadra ka festuar titullin kampion dhe të shumta ishin momentet e bukura të tifozëve jashtë ambienteve të stadiumit.

Qazim Laçi nuk është legjionari i vetëm, i cili ka mbyllur një vit të suksesshëm, pasi edhe shumë lojtarë të tjerë kanë fituar trofe me klubin e tyre.

Redon Xhixha, ish-anësori i Tiranës, ka arritur të shpallet kampion me Karabakun në kampionatin azer, ndërkohë edhe Marsel Ismajlgeci ka fituar titullin në Bosnjë me skuadrën e Zrinjskit, ku ai bën pjesë që prej muajit janar.

Gjithashtu mbrojtësi i majtë ka siguruar edhe një trofe tjetër, Kupën e Bosnjës.

Kampionë të tjerë janë katër lojtarët e Ballkanit, të cilët fituan titullin për herë të dytë radhazi.

Stivi Frashëri, Nazmi Gripshi, Rustem Hoxha dhe Lorenc Trashi kanë festuar në Kosovë.

Po ashtu edhe Miklovan Pere, mbrojtësi nga Pogradeci, i cili ishte pjesë e Strugës dhe fituan titullin në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë në Poloni, dy shqiptarët që luajnë për Legian e Varshavës, Ernest Muçi dhe Jurgen Çelhaka, arritën që të fitonin Kupën e Polonisë.

Për Çelhakën është trofeu i parë jashtë Shqipërisë, ndërkohë Muçi ka qenë pjesë e Legias edhe në sezonin kur ata u shpallën kampionë.

Një tjetër legjionar që ka siguruar trofe është Eros Grezda, ku me ekipin e Zalaegerzeg ka fituar Kupën e Hungarisë.

“Qershia mbi tortë” është Kristjan Asllani, i cili fitoi kupën e Italisë me Interin, por mund të arrijë suksesin historik, pasi do të diskutojë finalen e Champions League ndaj Manchester Cityt më 10 qershor në Stamboll.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco