Kupa e Mbretit/ Reali mposht me përmbysje Villarrealin dhe shkon në çerekfinale

Kupa e Mbretit/ Reali mposht me përmbysje Villarrealin dhe shkon në çerekfinale

23:00, 19/01/2023

Real Madridi kalon në çerekfinale të Kupës së Mbretit pasi ka përmbysur në një sfidë spektakolare Villarrealin në transfertë. “Galaktikët” u gjendën në disavantazhin e dy golave në pjesën e parë, por arritën të përmbysnin gjithçka në të dytën duke e mbyllur sfidën me rezultatin 3-2.

pas 4 minutash lojë Capoue kalon në avantazh “Nëndetësen e Verdhë” duke realizuar një supergol. Goditja e tij e fuqishme nga e djathta ishte e pandalshme nga Courtois që thjesht detyrohet të nxjerrë topin nga rrjeta.

Reali përpiqet të reagojë menjëherë me Valverde, por pa sukses. Provojnë gjithashtu edhe Ferland Mendy dhe Rodrygo, por nuk arrijn dot që të vendosin baraspeshën. Kur pritet që ekipet të shkojnë në dhomat e zhveshjes në avantazhin minimal të vendasve, Chukwueze merr një pasim të mirë nga Moreno dhe i vetëm përballë i çon shifrat në 2-0.

Duket se do të jetë një tjetër ndeshje zhgënjyese për Realin pas humbjes në finalen e Supërkupës përballë Barcelonës, por në pjesën e dytë “galaktikët” e nisin me një tjetër marsh.

Vinicius Junior ngushton diferencat duke mposhtur portierin kundërshtar me një goditje të bukur në cepin e portës. Reali vazhdon të qëndrojë në sulm dhe shpërdoron dy raste me Asensio dhe Benzema. Baraspesha ndërkohë vendoset nga mbrojtësi Eder Militao që gjendet në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe devijon topin drejt rrjetës.

Përmbysja e madhe vjen katër minuta nga fundi i kohës së rregullt. Ceballos merr një pasim nga Asensio dhe me një goditje të bukur mposht Jorgensen duke vulosur rezultatin final të takimit në 3-2. Me këtë fitore Reali vazhdon aventurën e tij në Kupën e Mbretit dhe shkon në fazën çerekfinale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco