FOTO/ FSHF teston rreth 130 lojtarë në Milano, Kristjan Asllani, i ftuari special

FOTO/ FSHF teston rreth 130 lojtarë në Milano, Kristjan Asllani, i ftuari special

13:16, 20/12/2022

Pas Frankfurtit, delegacioni i FSHF-së ka zbarkuar në Milano të Italisë për seleksionimin e fundit të këtij viti me lojtarët shqiptarë të vitlindjes 2005-2009, të cilët aktivizohen nëpër klubet italiane, zvicerane dhe austriake.

Stafi teknik i FSHF-së në bashkëpunimit dhe me skautët e Federatës kanë testuar rreth 130 lojtarë, pjesa më e madhe e të cilëve vëzhgoheshin për herë të parë nga afër, veçanërisht moshat e vogla. Trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave, Armando Cungu, Ardi Behari, Ervin Bulku dhe Armand Damo kanë pasur mundësi të monitorojnë lojtarët përmes disa ndeshjeve stërvitore, teksa duhet theksuar se mes këtij grupi të madh kanë spikatur lojtarë të talentuar. Impresionet stafit kanë qenë mjaft pozitive, qoftë edhe për impenjimin e lojtarëve të cilët janë angazhuar maksimalisht përgjatë këtij seleksionimi dhe kanë shfaqur dëshirë të madhe për të treguar vlerat me fanellën kuqezi.

I ftuari special në këtë seleksionim ka qenë mesfushori i Kombëtares dhe i Interit, Kristjan Asllani, i cili është takuar me stafin teknik të FSHF-së dhe me të rinjtë, të cilët janë befasuar nga prania e tij dhe kanë nxituar të bëjnë një foto kujtim me yllin kuqezi.

Asllani, i rritur tek Empoli, është një nga ata lojtarë që janë zbuluar pikërisht nga seleksionime të tilla që organizohen rregullisht prej vitesh nga FSHF dhe është një model frymëzimi për lojtarët që synojnë të bëhen futbollistë profesionistë. Mesfushori ka ndjekur nga afër të gjithë procesin e seleksionimit së bashku me stafin teknik të FSHF-së. Gjithashtu, i pranishëm për një vizitë të shkurtër në këtë seleksionim ka qenë edhe ish-drejtori teknik i FSHF-së, Giancarlo Camolese.

Përshtypje pozitive pati edhe nga seleksionimi i organizuar në Frankfurt të Gjermanisë pak ditë më parë, teksa në total janë testuar rreth 300 lojtarë të grup-moshës 2005-2009. Drejtoria e Ekipeve Kombëtare në bashkëpunim e skatutët e FSFH-së do të mbajnë në monitorim të gjithë lojtarët e evidentuar, një pjesë e të cilëve mund të ftohen në muajt e ardhshëm edhe në ekipet Kombëtare të moshave, qoftë për ndeshje miqësore, qoftë edhe për ndeshje zyrtare.

Sakaq, Drejtoria e Ekipeve Kombëtare vazhdon punën intensive për të zbuluar talente të vlefshme për ekipet kombëtare të moshave e që mund të jenë protagonistë në Kombëtaren A. Në periudhën në vazhdim FSHF do të organizojë edhe seleksionime të tilla në vende të tjera të Europës, ku jetojnë komunitete shqiptarësh dhe ku FSHF ka skautët e saj që kujdesen për të zbuluar lojtarë të talentuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco