Europiani U-19 për vajza/ Shqipëria mbyll përgatitjet, gati për Armeninë

Europiani U-19 për vajza/ Shqipëria mbyll përgatitjet, gati për Armeninë

17:44, 10/10/2022

Shqipëria U-19 për vajza do të zhvillojë nesër sfidën e tretë dhe të fundit ndaj Armenisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023 për këtë grupmoshë.

Këtë të hënë, ekipi i drejtuar nga Kreshnik Krepi ka përmbyllur edhe përgatitjet për përballjen e nesërme, me skuadrën që do të kërkojë të marrë tre pikët, për t’i mbyllur sa më mirë këto eliminatore.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se trajneri Krepi nuk do të ketë në dispozicion në ndeshjen ndaj Armenisë mbrojtësen Rigersa Tori, pas dëmtimit që pësoi në sfidën e kaluar ndaj Rumanisë.

Pas konsultimeve me stafin mjekësor të skuadrës, Tori nuk do të jetë e gatshme të japë kontributin e saj në këtë ndeshje.

Sakaq, pjesa tjetër e skuadrës është në formë të mirë, teksa grupit i është bashkuar sërish edhe Rexhina Maxhalaku, e cila për shkak të kartonit të kuq të marrë në sfidën e parë, nuk luajti ndaj Rumanisë.

Kombëtarja do të zbresë në fushën e “Elbasan Arena” nesër, teksa sfida ndaj Armenisë do të nisë në ora 14:30.

Në po të njëjtën orë do të luhet edhe ndeshja tjetër e grupit B3, mes Letonisë dhe Rumanisë në stadiumin ‘Egnatia’ në Rrogozhinë.

Pas dy ndeshjeve të para, ekipi kuqezi renditet në vendin e tretë, në kuotën e tre pikëve, teksa në vendin e parë renditet Rumania me gjashtë pikë dhe në vendin e dytë Letonia me 3 pikë. Ndërkaq, Armenia renditet në vendin e fundit në grup me 0 pikë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco