Dinamo-Partizani, statistikat e derbit

Dinamo-Partizani, statistikat e derbit

19:49, 01/10/2021

Një mbrëmje e veçantë për futbollin shqiptar, pasi do të rikthehen emocionet e derbit Dinamo-Partizani, dy skuadra që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar, por që nuk janë vënë përballë njëra-tjetrës që prej marsit të 2013-ës, kur të dyja militonin në Kategorinë e Parë.

Përballja e sotme do të jetë e 136-a në historinë e dy klubeve, me Partizanin që ka një epërsi të lehtë prej 49 fitoresh, kundrejt 41 të “nëndetëses blu” dhe 45 të tjera kanë përfunduar në barazim.

Herën e fundit që janë ndeshur këto dy skuadra, ka qenë Partizani që ka fituar me rezultatin minimal 0-1, ndërsa për të gjetur suksesin e fundit të Dinamos, duhet të kthehemi pas deri në prill të 2009-ës, kur triumfonin 1-2.

Trajneri Ilir Daja ka fituar titullin kampion me Dinamon në sezonin 2007-2008, pikërisht falë suksesit në ndeshjen direkte me Partizanin, ku “nëndetësja blu” triumfoi 2-1, ndërsa sot tekniku kryeqytetas do të synojë fitoren e parë sezonale me “të kuqtë”, pikërisht ndaj të shkuarës së tij.

Sipas Supersport, Agim Ibraimi është njeriu që do të ketë vëmendje maksimale te Dinamo, pasi ka eksperiencën e duhur për të marrë për dore skuadrën dhe cilësi të jashtëzakonshme në krijimin dhe finalizimin e rasteve.

Te Partizani pritet shumë nga Ergys Kaçe, ish-mesfushor i Kombëtares shqiptare, që iu bashkua “të kuqve” në ditët e fundit të merkatos dhe ka nxjerrë në pah jo vetëm grintën e jashtëzakonshme që e karakterizon, por edhe cilësitë e mëdha në shpërndarjen e lojës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco