Reshjet e dendura që ranë gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit kanë paralizuar qytetin bregdetar të Durrësit, duke shkaktuar përmbytje të mëdha në disa zona të qytetit. Rrugë të tëra janë kthyer në pellgje uji, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve dhe kalimtarëve.
Pamjet e siguruara nga Syri TV tregojnë situatën dramatike në disa lagje dhe akse kryesore, ku niveli i ujit ka arritur në disa vende edhe mbi trotuarë.
Bëhet fjalë për një aks pranë ndërmarrjes zjarrfikëse të qytetit bregdetar, zonë ku rikonstruksioni i rrugës dhe kanalizimeve përfundoi këtë vit. Gjithashtu raportohet se është bllokuar kryqëzimi te ‘Stadiumi’, rrethrrotullimi tek ‘Stacioni trenit’ dhe rruga ‘Taulantia’.
Banorët raportojnë se uji ka hyrë edhe në banesa dhe biznese, kryesisht në katet e para, ndërsa shumë prej tyre janë detyruar të përdorin mjete rrethanore për të larguar ujin nga ambientet e tyre.
LEXO EDHE: Përmbytje në Durrës pas reshjeve të dendura të shiut, pamje dramatike në konviktin 'Beqir Çela'
Sipas dëshmive nga terreni, institucionet vendore janë treguar sërish të papërgatitura për përballimin e reshjeve intensive.
Kanale kulluese të bllokuara dhe mungesë ndërhyrjesh të menjëhershme kanë bërë që situata të përkeqësohet orë pas ore.
Sipas parashikimeve të motit, reshjet pritet të vazhdojnë edhe gjatë pasdites, duke rritur frikën e banorëve për përkeqësimin e situatës.
© SYRI.net