Korça u kthye në një skenë të madhe të kulturës ballkanike me edicionin e 8-të të Festivalit Ndërkombëtar “Shpirti i Ballkanit”, që mblodhi në Pazarin e Vjetër artistë dhe ansamble nga vende të ndryshme të rajonit.
Mbrëmja e dytë solli emocione, valle tradicionale dhe një atmosferë festive, ku grupet pjesëmarrëse ndanë me publikun jo vetëm folklorin e vendeve të tyre, por edhe vlerësimin për Korçën dhe mikpritjen e saj.
Artistët nga Mali i Zi, që sollën në skenë dy koreografi tradicionale, u shprehën se ishin të lumtur që ndodheshin për herë të parë në Korçë, një qytet që e cilësuan të vogël, por shumë të këndshëm. Njëri prej tyre vlerësoi edhe performancën e grupeve shqiptare, duke thënë se e lanë pa fjalë me energjinë dhe atmosferën që krijuan.
“Unë jam nga Mali i Zi, do të performojmë koreografinë tonë. Dy koreografitë tona quhen Cërnagora dhe Cernogorka. Është shumë qejf këtu dhe shpresoj që edhe ju të kënaqeni duke na parë. Pashë grupin e shqiptarëve dhe më lanë pa fjalë. Kërcejnë aq bukur dhe janë gjithmonë shumë të qeshur dhe alegro. Më pëlqeu atmosfera që krijuan, janë gjithmonë të lumtur dhe më pëlqeu çdo gjë nga kërcimi i tyre.”
“Ne vijmë nga Mali i Zi, do të performojmë dy kërcime. Ne kemi kostumet tona origjinale. Kjo është hera jonë e parë në qytetin e Korçës dhe jemi shumë të lumtur që kemi ardhur. Çdo gjë këtu është shumë bukur. Qyteti juaj është i vogël, por shumë i këndshëm.”
Edhe grupi nga Selaniku i Greqisë, që interpretoi valle të njohura si Zeibekiko, Zorba dhe Sirtaki, e cilësoi pjesëmarrjen në festival si një gëzim të madh dhe një mënyrë të bukur për të lidhur kulturat e Ballkanit.
“Ne vijmë nga Selaniku dhe do të kërcejmë koreografi folklorike, Zeibekiko, Zorba, Sirtaki. Jemi shumë të lumtur që ndodhemi këtu, për ne është gëzim i madh. Urime organizatorëve dhe shpresojmë të vijmë sërish, sepse në këtë mënyrë ne lidhim kulturat tona të Ballkanit. Kjo gjë na lumturon dhe është shumë e bukur. Ishim në Korçë edhe vitin e kaluar, rikthehemi sërish dhe është shumë bukur këtu.”
Sipas drejtoreshës së Artit dhe Kulturës, Blerta Belliu, “Shpirti i Ballkanit” është një festival që i shërben jo vetëm jetës kulturore, por edhe turizmit në Korçë, duke sjellë çdo vit shkëmbim vlerash, traditash dhe bashkëpunim mes vendeve të rajonit.
Në përfundim të festivalit, Ansambli i Maqedonisë së Veriut u vlerësua me Çmimin e Madh, në një mbrëmje që përcolli mesazhe miqësie, bashkimi dhe respekti mes kulturave të Ballkanit.
© SYRI.net