Shumë shqetësime janë ngritur për kohën që fëmijët kalojnë para ekraneve, por një studim i ri sugjeron se edhe përdorimi i tepërt i telefonit nga prindërit mund të ketë pasoja për mirëqenien emocionale të adoleshentëve.
Studiuesit zbuluan se adoleshentët që mendojnë se prindërit ose kujdestarët e tyre shpesh shpërqendrohen nga telefonat kanë më shumë gjasa të zhvillojnë stile të pasigurta lidhjeje emocionale. Këto stile lidhen me probleme të shëndetit mendor dhe vështirësi në krijimin e marrëdhënieve të shëndetshme në të ardhmen.
Dr. Don Grant, një nga autorët e studimit, tha se prej vitesh kishte vënë re ankesa nga adoleshentët gjatë seancave këshilluese familjare. Një rast që e preku veçanërisht ishte kur vajza e një kolegeje psikologe e pyeti nënën e saj nëse e donte telefonin më shumë se atë.
Stili i lidhjes emocionale përcakton mënyrën se si njerëzit lidhen me të tjerët. Personat me lidhje të pasigurt mund të bëhen tepër të varur nga të tjerët për siguri emocionale ose, përkundrazi, të shmangin marrëdhëniet për të mos u lënduar. Ndërsa lidhja e sigurt shoqërohet me marrëdhënie më të mira dhe mirëqenie më të lartë.
Për të studiuar fenomenin, shkencëtarët krijuan një shkallë matjeje që vlerësonte se si adoleshentët e perceptonin përdorimin e telefonit nga prindërit dhe ndikimin e tij në vëmendjen, disponueshmërinë dhe ndërveprimet me ta. Më pas ata anketuan 600 adoleshentë amerikanë të moshës 12–17 vjeç.
Rezultatet treguan se sa më shumë që adoleshentët ndiheshin të anashkaluar për shkak të telefonit të prindërve, aq më të larta ishin nivelet e lidhjes së pasigurt emocionale.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se studimi tregon vetëm një lidhje statistike dhe jo domosdoshmërisht shkak-pasojë. Është e mundur që adoleshentët që tashmë kanë pasiguri emocionale t’i perceptojnë prindërit si më pak të disponueshëm, pavarësisht zakoneve të tyre me telefonin.
Pavarësisht kësaj, ekspertët këshillojnë kujdes. Ata nuk thonë se prindërit duhet të lënë menjëherë çdo aktivitet sa herë që fëmija kërkon vëmendje. Por kur fëmijët përpiqen të lidhen me ta, një reagim i thjeshtë dhe njohja e pranisë së tyre mund të bëjë një ndryshim të madh.
Mesazhi kryesor i studimit është se fëmijët dhe adoleshentët kanë nevojë të ndihen të dëgjuar dhe të vlerësuar. Në një epokë ku telefonat inteligjentë janë gjithmonë pranë, ruajtja e kësaj lidhjeje njerëzore mund të jetë më e rëndësishme se kurrë. / Frontiers – Syri.net
© SYRI.net