Shqipëria renditet në fund të listës evropiane për cilësinë e ujërave të larjes, sipas raportit më të fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), i cili analizon mbi 22 mijë pika monitorimi në të gjithë Evropën, përfshirë vendet e BE-së, Shqipërinë dhe Zvicrën.
Sipas raportit, ndërsa Evropa në përgjithësi regjistron nivele shumë të larta pastërtie në ujërat e plazheve, Shqipëria mbetet një përjashtim negativ në hartën mjedisore të kontinentit.
Vetëm 16% e ujërave shqiptare “shkëlqyeshëm”
Të dhënat tregojnë se vetëm rreth 16% e ujërave të larjes në Shqipëri klasifikohen si “shkëlqyeshme”, niveli më i lartë i cilësisë sipas standardeve evropiane, duke e renditur vendin të fundit në Evropë për këtë tregues.
Në të kundërt, mesatarja e Bashkimit Evropian është shumë më e lartë: rreth 85% e ujërave të monitoruara klasifikohen si “shkëlqyeshme”, ndërsa 96% përmbushin të paktën standardet minimale të sigurisë për larje.
Evropa me përmirësim, Shqipëria në prapambetje
Raporti thekson se në shumicën e vendeve evropiane cilësia e ujërave është përmirësuar ndjeshëm gjatë dekadave të fundit, falë monitorimit të rregullt dhe investimeve në trajtimin e ujërave të ndotura.
Megjithatë, Shqipëria shfaqet si një nga vendet me performancën më të dobët në kontinent, duke reflektuar probleme të vazhdueshme me ndotjen e ujërave bregdetare, lumenjve dhe liqeneve.
Shqetësim për turizmin dhe mjedisin
Ekspertët e EEA paralajmërojnë se ndotja e ujërave mbetet një rrezik serioz jo vetëm për shëndetin e qytetarëve dhe turistëve, por edhe për ekosistemet detare dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave bregdetare.
Ndërsa vendet e Mesdheut dhe Evropës Veriore shënojnë përqindje shumë të larta të ujërave “shkëlqyeshëm”, Shqipëria mbetet në fund të listës, duke ngritur pikëpyetje mbi menaxhimin mjedisor dhe infrastrukturën e ujërave të ndotura.
© SYRI.net