Një mace u bë papritur ylli i mbrëmjes pasi ndërhyri në momentin kulmor të një shfaqjeje në natyrë të “Romeos dhe Zhuljetës”, duke e kthyer tragjedinë e famshme të William Shakespeare në një komedi të vërtetë.
Ngjarja ndodhi gjatë finales së baletit në Izmir, ku rolet kryesore interpretoheshin nga balerini brazilian Pedro Ceará dhe balerina ruse Tatiana Borger.
Shfaqja në teatrin e hapur Bornova kishte arritur në momentin më emocional: Romeo qëndronte i shtrirë “i vdekur” në varr, ndërsa Zhuljeta qante mbi trupin e tij. Pikërisht atëherë bëri hyrjen e saj të papritur një mace endacake.
Macja u afrua pranë kokës së Romeos ndërsa Zhuljeta vazhdonte skenën dramatike të vajtimit. Më pas ajo nisi të luante me flokët e protagonistit, i cili duhej të qëndronte i palëvizur si “i vdekur”. Skena e pazakontë bëri që publiku të shpërthente në të qeshura.
Në fund të shfaqjes, protagonisti e mori macen në krahë dhe u përkul para publikut, duke e bërë atë pjesë të suksesit të mbrëmjes.
“Imagjinoni këtë: në kulmin e shfaqjes, kur Romeo është i vdekur dhe Zhuljeta sapo është zgjuar, ata ndodhen pranë varrit. Është momenti emocional drejt të cilit çonte e gjithë historia dyorëshe. Pikërisht atëherë, një mace hyn në skenë dhe fillon të luajë me flokët e Romeos”, tregoi balerina Tatiana Borger, sipas Daily Mail.
Ajo shtoi se macja madje filloi ta kafshonte lehtë balerinin, duke e shkatërruar plotësisht atmosferën dramatike të skenës.
“Në vend që publiku të qante, të gjithë filluan të qeshnin”, tha ajo.
Videoja e këtij momenti është bërë virale në rrjetet sociale, ku shumë përdorues e kanë cilësuar macen si “aktorja më e mirë e mbrëmjes”.
© SYRI.net