Në Shqipëri numri i fëmijëve po bie ndjeshëm, ndërsa investimet në arsim dhe mbrojtje sociale mbeten dukshëm më të ulëta krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Këto janë disa nga gjetjet kryesore të dokumentit më të ri të UNICEF për Shqipërinë, i cili përcakton prioritetet e bashkëpunimit për periudhën 2027–2031.
Sipas raportit, Shqipëria ka rreth 2.4 milionë banorë, ndërsa vetëm 19.1% e popullsisë janë fëmijë të moshës 0–17 vjeç, ose rreth 460 mijë në total. Në vitin 2011, fëmijët përbënin 26.4% të popullsisë. UNICEF thekson se kjo rënie lidhet drejtpërdrejt me uljen e lindshmërisë dhe emigracionin, duke ngritur nevojën për politika më të forta mbështetëse për fëmijët dhe të rinjtë.
Megjithatë, raporti vë në dukje edhe disa përmirësime. Përqindja e fëmijëve që jetojnë në rrezik varfërie ka rënë nga 29.7% në vitin 2019 në 26.6% në vitin 2024. Po ashtu, është ulur edhe numri i të rinjve që nuk janë në punë, arsim apo trajnim (NEET), nga 27.9% në vitin 2020 në 22.2% në vitin 2024. Edhe vdekshmëria e fëmijëve nën pesë vjeç vijon të shënojë rënie.
Megjithatë, Shqipëria mbetet pas vendeve të Bashkimit Europian sa i përket investimeve publike. Për arsimin shpenzohen vetëm 2.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa mesatarja e BE-së është 4.6%. Edhe në mbrojtjen sociale shifrat mbeten të ulëta: 9.6% e PBB-së në Shqipëri kundrejt 20.5% në BE.
Sipas raportit, vetëm 5% e këtyre fondeve shkojnë për shërbime të kujdesit social, ndërsa bashkitë shpenzojnë më pak se 2% të buxheteve të tyre në këtë sektor.
Grupet më të prekur mbeten fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët romë dhe egjiptianë, si edhe ata që jetojnë në zonat rurale, të cilët kanë më pak akses në arsim cilësor, shërbime sociale dhe kujdes shëndetësor.
Edhe pabarazitë gjinore vijojnë të mbeten të theksuara. Pjesëmarrja e grave në tregun e punës është 12.5 pikë përqindje më e ulët se ajo e burrave, ndërsa Shqipëria mbetet nën mesataren e Bashkimit Europian për barazinë gjinore.
© SYRI.net