Vaksina e AstraZeneka, a ka më arsye për panik? - Flet kirurgu i njohur në Itali, Albert Troci

Vaksina e AstraZeneka, a ka më arsye për panik? - Flet kirurgu i njohur në Itali, Albert Troci

10:27, 08/05/2024
A+ Aa A-

Mediat ndërkombëtare njoftuan dje se kompania AstraZeneca e tërhoqi vaksinën e saj kundër Covid, disa javë pas raportit se shkaktonte efekte anësore të rralla.

Emisioni Kafe Shqeto në SYRI TV kërkoi mendim për këtë çështje, që ngjalli shqetësim te të vaksinuarit në Shqipëri, nga disa ekspertë dhe njeri prej tyre ishte mjeku i shquar Albert Troci, kirurg onkolog në spitalin “Luigi Saco” në Milano.

Ndër të tjera, z. Troci tha: “Për hir të së vërtetës, ne, nga ana teknike, e dinim që në fillim që ishte një ndër efektet anësore. Numri ishte shumë-shumë i vogël dhe për kohën kur ishim, të gjitha entet rregullatore të të gjithë shteteve që vendosin në mënyrë autonome për dhënien e kësaj vaksine, besonin që në atë kohë se efektet pozitive ishin shumë-shumë më të larta sesa rreziku që shkaktonte vaksina. Ne patëm një rast eklatant në Open Day, një vajzë 18-vjeçare, e cila u vetëparaqit duke bërë një vaksinë të AstraZeneka dhe pas 15 ditësh pati fatkeqësisht një trombozë cerebrale, e cila çoi në humbjen e jetës dhe kjo bëri që në atë moment në Itali t’i bënim një stop, vaksinës së Astra Zenekës duke e e lejuar vetëm për pacientët mbi 60 vjeç,” tha ai.

“Që të qetësojmë pak qytetarët, që e kanë bërë vaksinën e AstraZenaka, - tha prof. Troci në vazhdim, - duhet të kemi parasysh që efektin anësor dhe trombozën e shikojmë në 30 ditët e para të vaksinimit, kështu që të gjithë pacientët që tani e kanë kaluar këtë periudhë, duhet të jenë të qetë.  Teorikisht, dëmtimi dhe efekti i koagulimit që është studiuar tashmë, madje që në vitin 2021... është efekti që shihet në 30 ditët e para të vaksinimit, kështu që të gjithë pacientët qe e kanë kryer vaksinën të rrinë të qetë, të mos krijojmë panik, telefonata... e gjëra të tilla.

Fakti është që AstraZeneka e ka tërhequr autorizimin se ne tani kemi vaksina shumë më të azhornuara, më të përditësuara, si nga ana teknologjike, si dhe nga ana e virusit që qarkullon. Plus tani, pandemia ka mbaruar.”/ar/sh/SYRI.NET

Lexo edhe: Prof. Asc. Dika: Përfitimet në raport me rreziqet nga vaksina AstraZeneka kanë qenë shumë të mëdha

Lexo edhe: Shehu: Menaxhimi i pandemisë në Shqipëri qe dështim i plotë, 22 mijë humbje jete!

Ndiqni intervistën e plotë me z. Albert Troci në videon në vijim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco