SYRI TV/ Kalaja e Elbasanit pa investime, shtëpi muze të mbyllura e drejt degradimit

14:53, 19/05/2024
A+ Aa A-

Kalaja e Elbasanit qindra vjeçare është një ndër pikat kryesore të ndalimit të turistëve tranzit, por nuk fal asnjë atraksion tek ata. Shtëpi, muze dhe objekte historike të mbyllura, e disa të tjera të lëna drejt degradimit total, mbeturina thuajse në çdo rrugicë, mure banesash të zhgarravitura, kjo është panorama që lagja më e vjetër e qytetit mundëson për këta turistë, sipas të cilëve Kalaja e Elbasanit ka nëvojë për më shumë promovim. Banorët shprehen se me kalimin e viteve në këtë lagje çdo gjë ka humbur, përfshirë kulturën e traditën, dhe tashmë nuk ka mbetur asgje për t’u krenuar. Një tjetër realitet i trishtë është se shumica e banorëve janë larguar jashtë vendit.

Banorët shprehen se për kalanë e Elbasanit nuk është vënë dorë nga ana e qeverisë. Një ndër shqetësimet kryesore mbetet papastërtia. Plehrat gjenden të hedhura kudo, e kjo nuk është aspak e hijshme për syrin e vizitorëve. Një tjetër problem i theksuar për Lagjen Kala është mungesa e ndriçimit në rrugica, duke e kthyer zonën në strehë për konsumuesit e lëndëve narkotike e duke rritur numrin e vjedhjeve.

Shqetësimin për mungesën e vëmendjes ndaj kalasë së Elbasanit e shprehin edhe vetë guidat turistike, sipas të cilave nevojitet një promovim më i madh dhe shtim i investimeve në këtë vend.

Për ta bërë më të aksesueshme këtë zonë historike, së fundmi 8 banorë kanë kthyer shtëpitë në bujtina për të bërë të mundur qëndrimin ditor të turistëve tranzit në Elbasan.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco