'Kjo ditë e bukur Bajrami, mundësi t’i japim dorën njëri-tjetrit me frymën e përkrahjes'

'Kjo ditë e bukur Bajrami, mundësi t’i japim dorën njëri-tjetrit me frymën e përkrahjes'

07:15, 10/04/2024
A+ Aa A-

Fjalimi i Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, me rastin e Fitër Bajramit, në Sheshin Skënderbej në Tiranë.
 

"Mëngjesi i kësaj dite të bukur, është kurorëzimi i një sakrifice 30 ditore për mbarë besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe anë e kënd botës.

Për 30 ditë me radhë ne agjëruam me bindje dhe me shpresë se në fund të këtij rrugëtimi Zoti i gjithësisë do të mbetet i kënaqur me veprat tona dhe do të na falë gabimet.

Kjo është në fakt edhe një porosi e profetit tonë të dashur, Muhamedit (a.s.).

Ne përcollëm muajin më të veçantë nga të gjithë muajt, muajin e Kuranit, muajin e adhurimit, solidaritetit, paqes e mëshirës, muajin e Ramazanit.

Çdo agjërues shprehu gjatë këtij muaji dashurinë dhe besimin e sinqertë e të pakufijshëm ndaj Krijuesit të gjithësisë. 

Ky muaj që sapo mbyllëm ishte një sakrificë sublime e vetëdijshme e çdo besimtari për Zotin e tij.

Ramazani është muaji i urtësisë, mëshirës, moralit, vetëdijësimit dhe ringjalljes shpirtërore e trupore, muaj shumëdimensional.

Ramazani simbolizon sakrificën dhe gatishmërinë e besimtarit për të hequr dorë, në emër të Zotit, nga veset e zakonet e përditshme për të fisnikëruar shpirtin e çdo njeriu.

Të dashur besimtarë!

Sot është festa e Fitër Bajramit.

Në këtë ditë feste të rëndësishme për paqen, ripërtëritjen dhe begatinë tuaj shpirtërore, në këtë ditë të veçantë të shprehjes së besimit dhe të një çasti kremtimi për të gjithë ju, dëshiroj t’ju shpreh urimet e mia më të mira dhe më të përzemërta.

Le të bëhet ky Bajram ditë uniteti mes nesh, ditë mirëkuptimi dhe tolerance ndërfetare me të tjerët. 

Uniteti, harmonia e dialogu janë vlera unikale të shoqërisë tonë, janë pasuritë më të çmuara të fesë dhe popullit tonë, dhe si të tilla, ato janë një garanci e sigurtë për të ardhmen e shoqërisë tonë dhe brezave që do vijnë pas nesh. 

Thirrja ime është që t’i ruajmë me fanatizëm këto vlera, sidomos pas këtij muaji kur kemi kalitur virtyte të larta në moralin tonë.

Motra dhe vëllezër, ju që jeni në këtë shesh dhe ju që na ndiqni përmes ekranit,

Koha në të cilën po jetojmë na ka vënë përballë sfidash të shumta. 

Familja nuk po përjeton ditët e saj më të mira, dhuna brenda saj është një fenomen që të trazon shpirtin. 

Njerëzve që kanë humbur durim ju bëj thirrje të ndalin agresivitetin, të qetësojnë shpirtrat e tyre duke u kthyer kah e mbara, kah rruga e Zotit.

Mos i prekni gratë! Ato janë shpirti i bërthamës së shoqërisë, familjes. 

Po jetojmë në një kohë krize morale, krizë e cila kërkon përkushtim, vëmendje, besim dhe mbështetje te Zoti për t’u tejkaluar.

Fenomene si emigracioni, ulja e lindshmërisë po e mpakin familjen.  

T’i kushtojmë rëndësi bashkëpunimit dhe harmonisë, të punojmë për të ecur përpara, në mënyrë që të bëjmë realitet ëndrrat e fëmijëve, ambiciet e rinisë tonë, dëshirat e prindërve tanë, lutjet e të moshuarve.

Shoqëria ka nevojë për një familje të shëndetshme, garanci për të rinjtë, përkujdes për të moshuarit dhe solidaritet e mbështetje për të varfërit e të pamundurit. 

Secili nga ne e ka detyrë krijimin e një mjedisi të qetë e stabil, në mënyrë që brezave të ardhshëm t’u krijojmë kushte më të mira për jetë dhe prosperitet në vendin tonë.

I bëj thirrje të rinjve, mos e braktisni vendin!

Rezistoni përballë çdo vështirësie, prindërit kanë nevojë për ju, shoqëria ka nevojë për ju, Shqipëria ka nevojë jetike për ju!

Qëndroni në vendin tuaj dhe punoni për ta bërë atë më të mirë e më të begatë. 

Të nderuar besimtarë

Ashtu si çdo vit, Ramazani na rikujton dobësitë dhe problematikat që kemi si qenie njerëzore.

Ramazani na kujtoi se ka diferenca të jashtëzakonshme dhe pabarazi në standardin e jetesës së njerëzve.

Një pjesë jetojnë në bollëk, dhe shumë mirë që jetojnë ashtu, por nuk ndajnë. E ndërsa shumica e njerëzve mundohet të mbijetojë në kushte tepër të vështira, standarde primitive, kushte jo të denja jetese. 

Në fund të Ramazanit agjëruesit kanë ndarë sadaknë e Fitrit dhe Zekatin.

Çfarë janë këto?

Këto janë kujtesë se duhet të ndajmë nga pasuria jonë për ata që nuk kanë.

Indiferenca karshi këtij hendeku mes shtresave të shoqërisë është e pafalshme dhe e patolerueshme.

Thelbi i filozofisë së Ramazanit është minimizimi i këtyre diferencave dhe një qasje tjetër më altruiste e më njerëzore.

Kjo ditë e bukur Bajrami është një mundësi që t’i japim dorën njëri-tjetrit dhe të shprehim frymën e përkrahjes, forcimin e mëtejshëm dhe zhvillimin e unitetit dhe të vëllazërimit duke zbatuar kështu thënien Kuranore: “O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vetes e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai qe më tepër është ruajtur(nga të këqijat) e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.”

Të dashur motra dhe vëllezër

Në mbyllje, më lejoni që në emrin tim dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, t’ju uroj gëzuar festën e Fiter Bajramit.

Le t’i lutemi Zotit që në mbarë kombin tonë të mbretërojë siguria, paqja, harmonia dhe dashuria.

Le t’i lutemi Zotit për vendet që janë në konflikte dhe ku po humbasin jetë njerëzish të pafajshëm t’i drejtojë ato vende drej paqes e dialogut.

Le t’i lutemi Zotit të na mundësojë të kemi paqe brenda veteve tona dhe kjo të gjenerohet në gjithë shoqërinë.

Uroj që Bajrami t’ju gjejë me më shumë paqe, devotshmëri e mirëkuptim njerëzor. 

Paçi mbarësi e begati në familjet tuaja! 

Gëzuar!

Image

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco