Sondazhi: 80% e të pyeturve mendon se java e punës me 4 ditë përmirëson balancën e jetës

Sondazhi: 80% e të pyeturve mendon se java e punës me 4 ditë përmirëson balancën e jetës

07:24, 29/03/2024
A+ Aa A-

Një javë me vetëm katër ditë pune mund të sjellë një balancë më të mirë mes punës dhe jetës personale.

Një sondazh i zhvilluar nga “Monitor”, në faqen e saj të internetit dhe rrjetet sociale, tregoi se shumica dërrmuese e pjesëmarrësve mendojnë se një javë pune me katër ditë përmirëson balancën mes punës dhe jetës.

Pyetjes “Cili është mendimi juaj për javën e punës me katër ditë?”, 80% e pjesëmarrësve iu përgjigjën me alternativën “përmirëson balancën punë-jetë”.

Alternativa e dytë më e zgjedhur ishte që një javë pune me vetëm katër ditë do të kultivonte dembelizmin, me 10% të votave të pjesëmarrësve.

6% e pjesëmarrësve në sondazh votuan se një javë pune me katër ditë do të dëmtonte interesat e bizneseve, ndërsa 4% e votuesve u shprehën se kjo do të përkeqësonte cilësinë e ofrimit të shërbimeve.

Java e punës me katër ditë ka filluar të eksperimentohet që në vitet ’90 të shekullit të kaluar, por në dekadën e fundit, një numër në rritje kompanish po e testojnë këtë zgjidhje për të parë rezultatet në produktivitetin e punës.

Në parim, java e punës me katër ditë nënkupton që punonjësit të kryejnë të njëjtën punë në një kohë më të shkurtër dhe për të njëjtën pagë, por megjithatë ka kompani të veçanta që e kanë përdorur edhe si një mënyrë për të shkurtuar kostot, duke ulur pagat.

Në vitin 2019, Microsoft në Japoni testoi javën e punës me katër ditë dhe raportoi se kjo solli rritje të produktivitetit me 40%.

Në vitin 2022, Universitetet e Bostonit, Kembrixhit dhe Dublinit organizuan një studim në shkallë më të gjerë, për të testuar rezultatet e javës së punës me katër ditë. Në studim u përfshinë 33 kompani, shumica e të cilave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irlandë.

Nga 33 kompanitë, 27 prej tyre plotësuan një anketë përfundimtare në të cilën u përgjigjën

për përvojën e tyre të përgjithshme nga kjo provë dhe nëse do të vazhdonin praktikën e punës me katër ditë në javë.

Në një shkallë vlerësimi nga 0 në 10, nga shumë negative në shumë pozitive, vlerësimi mesatar i kompanive për këtë provë ishte 9.0.

Të pyetur se si u ndikua performanca e kompanisë nga kjo provë, rezultati mesatar i përgjigjeve të kompanive ishte 7.6.

Të pyetur në mënyrë specifike për produktivitetin, kompanitë raportuan një rezultat mesatar prej 7.7.

Ndër 27 kompani, 18 u përgjigjën se do ta vazhdojnë patjetër praktikën e punës me katër ditë, ndërsa 7 u përgjigjën se po planifikojnë ta vazhdojnë por nuk kanë marrë ende një vendim përfundimtar, 1 kompani se është e prirur drejt vazhdimit të kësaj praktike ndërsa dhe 1 u shpreh ende e pasigurt. Asnjë kompani nuk u shpreh se kishte vendosur të mos e vazhdonte një praktikë të tillë.

Një testim në shkallë më të gjerë u krye në Britaninë e Madhe, ku 60 kompani provuan një javë pune katër ditore midis qershorit dhe dhjetorit 2022. Më shumë se 90% e bizneseve pjesëmarrëse kanë zgjedhur të vazhdojnë me javën katërditore edhe pa përfundimit të provës.

Nga ana tjetër, edhe anketimet e punonjësve të përfshirë në këto testime kanë treguar se në pjesën dërrmuese ata e miratojnë një zgjidhje të tillë.

Java e punës me katër ditë po shihet si një mënyrë për të rritur motivimin dhe produktivitetin e punonjësve, sidomos në një periudhë kur mungesa e fuqisë punëtore po bëhet sfidë për shumë ekonomi të zhvilluara, por jo vetëm.

Nga ana tjetër, është e qartë se një javë pune me vetëm katër ditë është e vështirë të zbatohet për të gjithë sektorët të ekonomisë, sidomos për ato që parashikojnë ofrimin e shërbimeve të domosdoshme apo bazike. /E.Shehu/MONITOR

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco