VIDEO-SYRI TV/ Shkolla e mbyllur prej tërmetit të vitit 2019, banorët përplasen me zyrtarët e Bashkisë Elbasan

17:58, 08/11/2023
A+ Aa A-

Banorët e fshatit Tregan në Elbasan kanë protestuar te njësia administrative për shkak të vonesave me rikonstruksionin e shkollës, e cila sipas bashkisë është jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve nga tërmeti. Prindërit u përplasën me zyrtarët e bashkisë Elbasan, të cilët gjatë një dëgjese publike për buxhetin e vitit 2024, përsëri nuk premtuan rikonstruksion të shkollës. Sipas prindërve, shkolla nuk është e dëmtuar, por po përdoret për afera korruptive. Ndërkohë, ata që vuajnë nga kjo situatë janë nxënësit që zhvillojnë mësim me turne në një tjetër fshat.

Nga SYRI TV

Në këtë mënyrë i pritën banorët e fshatit Tregan, zyrtarët e Bashkisë Elbasan, të cilët në këtë fshat shkuan për të zhvilluar procesin e buxhetimit me pjesëmarrje.

Prej katër vjetësh, banorët e Treganit i kanë kërkuar bashkisë vetëm realizimin e një prioriteti, rikonstruksionin e shkollës së fshatit, e cila është e mbullur ndërsa qindra fëmijë zhvillojnë mësimin me turne në fshatin Kuqan.

Por teksa banorët protestonin, zyrtarët e bashkisë nuk u dhanë shpresë për rindërtim të shpejtë të shkollës, duke u shprehur se financimi për të të do të gjendet vetëm pasi të përfundojë procesi rindërtimit në qytete të tjera të vendit.

Teksa takimi me zyrtarët e bashkisë u zhvillua me tensione, më herët gjatë ditës banorët protestuan te shkolla 9-vjeçare, e cila qëndron e mbyllur prej katër vjetësh, pasi sipas bashkisë shkolla është dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019. Por banorët pretendojnë të kundërtën.

Ata që e vuajnë këtë situatë janë nxënësit, të cilët jo vetëm që zhvillojnë mësim me turne, por ndihen edhe të bullizuar në shkollën e fshatit Kuqan.

Prindërit kanë paralajmëruar vijim të protestave deri në gjetjen e një zgjidhje për fëmijët e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco