SYRI TV/ Besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkët, lutje për më shumë paqe e dashuri

15:13, 05/05/2024
A+ Aa A-

Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kanë kremtuar Pashkët. Mesha e shenjtë e Pashkëve Ortodokse në Tiranë u mbajtë në katedralen "Ngjallja e Krishtit" dhe u drejtua nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos. Në vigjilje të Pashkës ai uroi të gjithë besimtarët kudo ku janë, duke përmendur edhe vendet e përfshira në luftë si Ukraina, Gaza dhe Sudani. Besimtarë të shumtë mbushën Kishën dhe oborrin e saj, kryen lutjet dhe ritet e tyre.

Meshat u shtrinë në qytete të ndryshme të vendit. Në Korçë mijëra besimtarë ortodoksë kanë kremtuar festën e Pashkëve në Katedralen "Ngjallja e Krishtit". Në mesnatë është kryer Shërbesa e Ngjalljes ku është ndarë drita e Perëndisë e cila simbolizon futjen e bekimeve dhe mirësisë në familje. Kjo meshë nën tingujt e këmbanave mblodhi në sheshin para Katedrales qytetarë korçarë, por edhe vizitorë nga qytete të ndryshme.

Imzot Joan Palushi uroi besimtarët për më shumë lumturi dhe begati në familjet e tyre. Edhe qytetarët dhe besimtarët ortodoksë kanë uruar në këtë ditë të shenjtë për ta duke uruar mirësi në të gjitha familjet shqiptare.

Mesha e vigjiljes së Pashkës së Madhe në Lushnje u mbajt në kishën e Shën Gjergjit. Besimtarët ortodoksë u bënë pjesë e ritit të festës së ringjalljes së Krishtit. At Arkipi, pas përfundimit të meshës në mesnatë dha lajmin e ngjalljes së Krishtit dhe ftoi besimtarët të merrnin dritën që nuk perëndon kurrë.

Krishti u ngjall, më shumë paqe e dashuri mes njëri-tjetrit. Ky ishte urimi i hirësisë At Nikolla për besimtarët ortodoksë fierakë, të cilët u mblodhën dhe morën flakën e ringjalljes së Krishtit në kishën e Shën Gjergjit në Fier.

Për të gjithë besimtarët ortodoksë në qytetin e Beratit, mesnata solli lajmin e gëzuar se “Krishti u ngjall”, e bashkë me të u ringjall edhe shpresa për botën. Ceremonia e Pashkës në Berat u kremtua në Katedralen “Shën Dhimitri” dhe u drejtua nga At Petraq Simsia dhe At Johan Qako. Ceremonia e shenjtë u ndoq nga qindra besimtarë ortodoksë, të cilët ishin mbledhur brenda dhe jashtë ambienteve të Katedrales.

Në Elbasan besimtarët ortodoksë u lutën në një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, për më shumë paqe dhe jetë më të mirë. Mesha e vigjiljes se Pashkes se Madhe u mbajt në kishën e Shën Kollit.

Mesha e shenjtë u ndoq nga dhjetëra besimtarë edhe në Durrës. Kremtimet vijuan edhe këtë të diel në Kishën Ortodhokse "Apostull Pavli dhe Shën Asti".

Mesnata e shenjtë solli për besimtarët ortodoksë lajmin e gëzuar se “Krishti u ringjall”, e bashkë me të edhe shpresa për botën. Kjo festë që simbolizon ringjalljen e Krishtit pas kryqëzimit të tij, përcjell në vetvete shpresën se e mira triumfon dhe se besimi tek Zoti është ai që na duhet. Pashka është kremtimi më i madh i kishave të krishtera që kremtojnë ringjalljen e Jezusit tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco