U hap për besimtarët vetëm 2 vite më parë/ Shiu që bie jashtë futet brenda, rrezikohet xhamia e Et’hem Beut

U hap për besimtarët vetëm 2 vite më parë/ Shiu që bie jashtë futet brenda, rrezikohet xhamia e Et’hem Beut

12:40, 04/11/2023
A+ Aa A-

Në mars të vitit 2018 monumenti kryesor religjos dhe kulturor i kryeqytetit iu nënshtrua restaurimit nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). 

Restaurimi i njërit prej simboleve kryesore të kryeqytetit zgjati 3 vite.  Në vitin 2021 me një ceremoni pompoze, në prani të presidentit të Turqisë, Erdogan dhe kryeministrit Rama, xhamia u hap për besimtarët.

Por, sot, rreth 2 vite nga hapja e e xhamisë Et’hem Beu gjendja e saj paraqitet alarmante.  Kanë mjaftuar vetëm disa orë shi dhe i gjithë shiu që bie jashtë është futur brenda objektit të kultit, monument kulture i kategorisë së parë. 

Pamjet e mbërritur në redaksinë e Syri.net nga qytetarët tregojnë qartë rrezikun që i konoset objektit të kultit. 

Cilësia e dobët e punimeve, kryesisht në çati, po vendos xhaminë në rrezik. Uji që futet brenda rrezikon të prishë në mënyrë të pakthyeshme afresket e mrekullueshme që kjo xhami ka në muret e saj.

Xhamia e Et’hem Beut

Ndërtimi i Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë, e cila konsiderohet si një prej monumenteve më të rëndësishme nga periudha osmane, ka filluar më vitin 1793 nga Molla Beu, ndërkaq është përfunduar në vitin 1821 nga i biri i Molla Beut, Et’hem Beu.

Duke shpëtuar nga rrënimi në periudhën e ish-diktatorit Enver Hoxhës, Xhamia e Et’hem Beut ka arritur në ditët e tona dhe cilësohet si një prej monumenteve të rralla të periudhës osmane.

Xhamia është restauruar në vitet 1870 dhe në 1985, megjithatë është mbyllur gjatë periudhës komuniste për disa dekada, për t'u rihapur për adhurim në vitin 1991.

E ndërtuar në një themel drejtkëndor, me një minare dhe një kupolë, xhamia posedon sipërfaqe prej 310 metra katrorë.

Pjesa e brendshme e murit dhe kupolës së xhamisë janë zbukuruar me teknika miniature të zbukurimeve fetare me motive lulesh dhe është shembull i veçantë i një përzierje të artit lokal oriental, barokut dhe linjës kryesore të artit osman.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco