'Çmendet' drejtoresha e Arsimit në Tiranë/ Mësuesit, në regjim kazerme

'Çmendet' drejtoresha e Arsimit në Tiranë/ Mësuesit, në regjim kazerme

10:20, 06/07/2023
A+ Aa A-

3 ditë më parë CNA publikoi skandali me drejtoreshën e përgjithshme të arsimit parauniversitar, Rezarta Alla, e cila ka nxjerrë në 30 qershor një urdhër për procedurat e regjistrimit të nxënësve të klasës së parë dhe të dhjetë.

Drejtoresha, në shkelje të ligjit, urdhëron që regjistrimet për nxënësit e klasës së parë të përfundojnë deri në datën 20 korrik.

Së pari, ky vendim i Rezarta Allës është publikuar para se të botohen në fletoren zyrtare ndryshimet në ligjin e arsimit parauniversitar dhe urdhri i ministres së Arsimit, Evis Kushi, për datën e fillimit të shkollës.

Gjithashtu, drejtoresha detyron mësuesit që të rikthehen në punë duke iu vendosur afate, ndonëse ata kanë marrë pushimet verore.

Nga ana tjetër, urdhri i drejtoreshës nxit konflikte midis prindërve të nxënësve dhe drejtuesve të shkollave, pasi procesi i aplikimit të regjistrimit bëhet "online" dhe nuk zbatohet rregulli ligjor që nxënësi të regjistrohet në shkollë sipas adresës së vendbanimit.

Këto janë 3 shkelje që gjenden në urdhrin e Rezarta Allës, ndërkohë që kjo medie ka zbuluar një tjetër shkelje të kryer, por kësaj radhe nga drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë, Erjeta Alhysa.

Image

Burime kanë bërë me dije se drejtoresha Alhysa ka zhvilluar një mbledhje me drejtuesit e institucioneve arsimore dhe i ka urdhëruar ata që të qëndrojnë në institucione.

Kjo, pasi ajo ka nxjerrë një vendim që drejtuesit e arsimit të jenë në punë deri në fund të muajit korrik dhe të mos kenë më shumë se 30 ditë leje verore.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se drejtoresha ka kërkuar edhe një grafik me qëllim monitorimin nga ana e saj.

Por ky vendim e shkel ligjin “me të dyja këmbët”, pasi në nenin 8 të kontratës kolektive të punës me Ministrinë e Arsimit thuhet se për periudhën e verës koha e pushimit nuk mund të jetë më pak se 45 ditë kalendarike.

“Neni 8

KOHA E PUSHIMIT

8.1. Koha e pushimit në sistemin e arsimit publik përbëhet nga pushimet javore dhe pushimet vjetore.

8.2. Pushimi javor është ditën e shtunë dhe ditën e diel.

8.3. Përcaktimi i kohës së pushimeve vjetore mbështetet në nenin 92, pika 2 të Kodit të Punës dhe në VKM nr. 220, datë 24.05.1994 "Për pushimin plotësues në sektorin e arsimit". Në bazë të këtyre dispozitave, pushimet vjetore për mësimdhënësit dhe drejtuesit e tyre përbëhen nga 56 ditë pune, ku përveç pushimeve verore, përfshihen edhe ditët kur mësimi ndërpritet sipas programit mësimor vjetor.

- Për periudhën e verës koha e pushimit nuk mund të jetë më pak se 45 ditë kalendarike dhe nuk mund të ndërpritet më shumë se një herë.

- Pushimi vjetor për personelin ndihmës dhe personelin e shërbimeve është jo më pak se 4 javë kalendarike.

8.4. Për efekt të lejes vjetore, në kohën e punës llogaritet edhe koha e paaftësisë së përkohshme në punë.

8.5. Punëmarrësit anëtarë të sindikatave nënshkruese të kësaj Kontrate, në rast martese ose vdekjeje të bashkëshortit, të paraardhësve ose pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë, të motrave dhe vëllezërve, përfitojnë një pushim të paguar prej 5 ditësh.

8.6. Në rast sëmundjeje të rëndë të paraardhësve ose pasardhësve të drejtpërdrejtë, të vërtetuar me raport mjekësor, punonjësit e arsimit, anëtarë të sindikatave nënshkruese të kësaj Kontrate, përfitojnë deri në 10 ditë pune të papagueshme në muaj ose 120 ditë në vit”, theksohet në nenin 8 të kontratës kolektive të punës.

Pra, ky vendim shkel nenin 8 të kësaj kontrate që ofron Ministria e Arsimit për punonjësit e saj.

Kështu, vendimi në shkelje të ligjit i drejtoreshës së përgjithshme të arsimit parauniversitar, Rezarta Alla, është pasuar nga një tjetër vendim që shkel ligjin.

Fakt mbetet që urdhri cenon drejtpërdrejtë drejtuesit e institucioneve arsimore dhe punonjësit e saj duke i ndërprerë pushimet dhe duke i kthyer në punë në mënyrë të dhunshme./ CNA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco