VIDEOLAJM/ Skandali mjedisor i koncesionarit të Sharrës: Ndotja shkon në zinxhirin ushqimor

19:06, 29/06/2023
A+ Aa A-

Edhe pse nën hetim nga SPAK, kompania koncesionare që menaxhon landfillin e Sharrës në Tiranë nuk i trajton ujërat e ndotura që dalin nga dekompozimi i mbetjeve urbane, por i shkarkon ato në lumin Erzen – duke shkaktuar sipas ekspertëve pasoja afatgjata për mjedisin dhe komunitetin e zonës.

Lumi i Erzenit buron nga Shëngjergji, rreth 25 kilometra në lindje të Tiranës, dhe derdhet në Gjirin e Lalzit në veri të Durrësit. Në zonën mes Tiranës dhe Durrësit, ujërat e Erzenit përdoren për vaditje dhe peshkim.

Në afërsi të fshatit Ndroq buzë Erzenit, banorët e kanë të qartë se nga buron ndotja.

Një peshkatar rreth të 50-ave, i veshur me një bluzë me simbolet e Partisë Demokratike, kërkoi të mos identifikohej, pasi tha se “kishte frikë nga hakmarrja”. Por ai i tha BIRN se nuk peshkonte asnjëherë poshtë rrjedhës që vinte nga landfilli.

“Peshkimi në këtë zonë është gjithmonë e më i vështirë. Zakoni më sjell këtu, sepse nuk ka më peshk,” tha ai.

Të njëjtën panoramë jep dhe Zija Brahja, një banor i zonës së Ndroqit, disa kilometra poshtë landfillit të Sharrës. Sipas tij, fermerët e zonës përdorin ujin e lumit për vaditje, por gjatë periudhës së verës kur prurjet janë të pakta, uji bëhet i papërdorshëm, pasi ndotja është shumë e dukshme.

“Ky ujë ikën deri në Shijak tek serat, por ndotja është ndotje nuk mund të themi se nuk bën dëme,” tha Brahja. “Tani përdoret se ka ujë shumë, i ndotur është, por ngaqë ka shumë ujë, ndotja duket më pak,” shtoi ai.

Trajtimi i mbetjeve urbane është një nga sfidat kryesore mjedisore të Shqipërisë për shkak të dy rreziqeve kryesore; djegies së pakontrolluar dhe liksiviatave që krijohen nga procesi i kompostimit dhe korredimit.

Ndërsa djegia e pakontrolluar emeton dioksina dhe komponentë të tjerë të dëmshëm kimikë në ajër, liksiviatat rrezikojë sipërfaqet ujore dhe tokësore përmes shkarkimit të metaleve të rënda, të cilat kalojnë më pas në zinxhirin ushqimor.

Ekspertët thonë se në rastin e landfillit të Sharrës, rreziku është edhe më i madh jo vetëm për sasinë e stërmadhe të tonelatave të mbetjeve, por edhe për faktin se ato nuk diferencohen.

“Aktualisht në landfillin e Sharrës nuk kemi ndarje në burim të mbetjeve të rrezikshme. Këtu kemi parasysh bateritë, pasi të gjithë i hedhin në koshin e plehrave dhe ato përfundojnë në landfill, por edhe metale të tjera të rënda,” tha aktivisti mjedisor, Lavdosh Ferruni.

“Këtu kemi dhe një problem tjetër, që me këtë ujin e Erzenit ku shkarkohen këto ujëra të ndotura përdoret nga banorët e zonës për vaditje. Kjo afekton dhe zinxhirin ushqimor, pasi nga vaditja kalon tek bimët, dhe më pas shkojnë në zinxhinin ushqimor të njeriut,” shtoi Ferruni.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco