SYRI TV/ Bien çmimet e perimeve në sera, dështojnë eksportet. Fermerët: Ka raste që kthehen kamionët

11:50, 24/05/2023
A+ Aa A-

Mungesa e një laboratori analizash për prodhimet bujqësore duket se po penalizon fermerët në Myzeqe. Gjatë ditëve të fundit shumë kamionë me prodhime bujqësore për eksport dyshohet se janë kthyer përsëri në vend me pretekstin se perimet kanë pasur përmbajtje të lartë kimikatesh. Kjo ka bërë që çmimi i perimeve në sera të bjerë në kosto, ndërsa fermerët ankohen se po shkojnë drejt falimentimit

SYRI TV

Teksa shpresonin të kishin sukses me shitjen e perimeve, edhe këtë vit fermerët e Myzeqesë po përballen me problemin e gjetjes së tregut për shitjen e domates dhe kastravecit.

Aktualisht, fermerët po shesin deri në 50 lekë për kg me shumicë domatet, shumë pranë kostos për kilogram. Një nga arsyet e rënies së çmimit, lidhet me situatën e eksporteve. Jashtë kamerave, eksportues të ndryshëm, tregojnë se kamionët e tyre janë kthyer mbrapsht, për shkak se perimet kanë rezultuar me përmbajtje të lartë helmicidesh.

Në këtë situatë, grumbulluesit hedhin prodhimet në kanal, ndërsa fermerët nuk paguhen për prodhimin e tyre. Disa fermerë në zonë e Roskovecit, pranojnë se janë regjistruar disa raste me dështimin e eksportit të domates për shkak të përmbajtjes së lartë të kimikateve.

Agronomi Ardian Rama është skeptik te fakti se perimet shqiptare mund të kthehen në vendin e origjinës për shkak të përmbajtjes së kimikateve, megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që kjo të ndodhë. Në këtë rast, ai tregon se përgjegjësia është e eksportuesve.

Megjithatë, teksa Shqipëria ende nuk ka brendim dhe certifikim të prodhimeve të saj, dyshimet janë se një nga arsyet e dështimit të eksporteve të perimeve shqiptare, mund të jetë edhe konkurrenca me vendet e tjera të rajonit, të cilat dalin në tregje më vonë se prodhuesit shqiptarë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco