INVESTIGIMI/ Minimumi jetik në Shqipëri dhe shtresat në nevojë në mëshirë të fatit

INVESTIGIMI/ Minimumi jetik në Shqipëri dhe shtresat në nevojë në mëshirë të fatit

09:17, 14/03/2023
A+ Aa A-

Vështirësitë nuk mbarojnë. Mbeta fillikat. Unë përderisa arrita deri këtu, erdha sepse e pashë të nevojshme dhe s’kisha rrugëzgjidhje tjetër.” Me këto fjalë e nis rrëfimin e tij një 66- vjeçar i cili jeton në qendrën sociale “Streha Tiranë”. Pamundësia ekonomike e ka detyruar të bëj këtë zgjedhje, pasi të ardhurat si pensionist janë të pakta, shkruan Albanian Center for Quality Journalism.

“Nuk marrë asistencë nga qeveria, asgjë. Kam 28 vjet në Tiranë. Çfarë nuk kam bërë, kam aplikuar, nuk mi kanë pranuar fillimisht, kam qenë banor në Laprakë dhe përgjigjia që më ka dhënë ka qenë: Jo, sepse jeni të ardhur, e në të njëjtën kohë kishte aplikime dhe nga njerëz nga vende të tjera”, shprehet ai, duke treguar që tashmë shpresat për një ndihmë ekonomike nga strukturat shtetërore i ka humbur, por janë familjarët e tij që e ndihmojnë me sa munden.

“Nuk dua t’u prish rehatinë, nuk dua t’ju bëhem problem, kanë jetën e tyre. Unë përderisa arrita këtu, erdhi sepse e pashë të nevojshme dhe nuk kisha rrugëdalje tjetër”, përfundon 66 vjeçari.

E ndërsa kostot e jetesës rriten përditë, ku lufta në Ukrainë dhe krizat ekonomike të vazhdueshme e kanë bërë edhe më të ndjeshme për xhepat e qytetarëve, Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan, i cili nuk ka të miratuar me ligj një minimum jetik, i cili do të siguronte një jetesë të përballueshme edhe për shtresat vunerabël të shoqërisë.

Nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), Banka Botërore, FMN, sindikatat, Avokati i Popullit, dhe nga Kuvendi i Shqipërisë, herë pas here janë adresuar sugjerime për qeverinë për përcaktimin e treguesit zyrtar të minimumit jetik, por Shqipëria vijon të mos ketë një qasje zyrtare ndaj këtij standardi jetese.

Avokati i Popullit ka realizuar dy herë raporte për “Minimumin Jetik në Shqipëri”, një në vitin 2016 dhe një tjetër në 2021. Asnjë prej këtyre raporteve të cilët synonin sipas Avokatit të Popullit “plotësimin e boshllëkut ligjorë dhe ndikojnë drejtpërdrejtë në garantimin e minimumit jetik për mijëra qytetarë shqiptarë të cilët jetojnë në kushte varfërie”, nuk është marrë parasysh.

“Vlera e përllogaritur në studimet e tij për minimumin jetik për vitin 2019 është përafërsisht 17.875 Lek. Kjo vlerë indikative është 9.9% më e lartë sesa pensioni minimal për zonat urbane, 37.5% më e lartë se pagesa e papunësisë dhe rreth 3 herë më e lartë se ndihma ekonomike, ndërsa 45.5% më e ulët sesa paga minimale. Sipas tij, në vitin 2022-2023 minimumi jetik duhet të jetë më i lartë”, shpreht institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ndër të tjera rekomandon që të hartohet dhe miratohet metodologjia për llogaritjen e minimumit jetik në Republikën e Shqipërisë.

Ky institucion gjithashtu sugjeron që minimumi jetik të reflektohet në të gjithë paketën legjislative që garanton dhe siguron mbrojtjen sociale. Ai thekson gjithashtu se minimumi jetik duhet të bëhet një pjesë kryesore e sistemit kombëtar të mbrojtjes shoqërore dhe shëndetësore.

“Është e domosdoshme, që të në formulimin e minimumit jetik të merret në konsideratë dhe të vlerësohet drejtë objektivi i sigurimit të ekzistencës së individit në përputhje me dinjitetin njerëzor të parashikuar në Kushtetutë dhe ligj.”

Në përgjigjen e tij për ACQJ Avokati I Popullit thekson se përpos jetesë dinjitoze, individit duhet t’i mundësohet aksesi minmal në jetën kulturore, sociale dhe politike.

 Sa përfitojnë ata në nevojë nga skemat sociale në Shqipër?

Skemat e mbrotjes sociale në Shqipëri janë të shumta dhe të ndryshme. Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, numri i përfituesve nga programi i ndihmës ekonomike është rreth 64 mijë familje, ndërsa numri i përfituesve nga programi i pagesës së personave me aftësi të kufizuara është 143,247 persona.

Për të patur një pasqyrë të qartë të përfitimit ekonomik për shtresat në nevojë, ACQJ kërkoi informacion në disa bashki të vendit. Në Kukës, i konsideruar shpesh herë si rrethi më i varfër në vend, Drejtoria e Shërbimeve Sociale dhe Kujdesit Shëndetësor, thotë se janë 4734 familje ose 21,207 persona që përftojnë ndihmë ekonomike, ndërsa 517 familje ose 1450 persona janë pjesë e fondit 6%, pjesë kjo e buxhetit të bashkisë e dedikuar për familjet në nevojë. Sipas të dhënave të përcjella nga kjo bashki, kryefamiljari përfton një shumë mujore prej 2170 lekë, anëtari i dytë i familjes 1430 lekë, shumë e njëjtë me atë që përfitojnë fëmijët e familjes mbi 18 vjeç. Ndërsa për sa i përket anëtarëve që janë mbi moshën e punës ndihma është në masën 3310 lekë.

Ndërkohë në Bashkinë Blesh, numri i familjeve me ndihmë ekonomike në muajin e kaluar ka qenë 699. “Shuma e ndihmës ekonomike është në bazë të anëtarëve të familjes. Kryefamiljari merr 2000 lekë, bashkëshortja merr 1800 lekë, fëmijët nën 18 vjeç marrin 900 lekë ndërsa fëmijët mbi 18 vjeç marrin 1200 lekë”, shprehet zyrtarisht ky institucion.

Në një kohë kur çmimi i një buke është 100 lekë, pikëpyetja e madhe që ngrihet është se çfarë mund të përballojnë këto familje me shumat e mbështetjes financiare që përfitojë nga institucionet shtetërore.

Shqipëria përballë Rajonit dhe Europës

Në një raport të vitit 2021 të UNDP shfaqen të dhëna për minimumin jetikë të  Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. “Nuk ka të dhëna për Bosnjen dhe Herzegovinën, Shqipërinë dhe Kosovën që të mund të bënim një krahasim mes tyre”, thuhet në raport.

Mali i Zi shfaq vlerën më të lartë të përkufizuar si minimum jetik, ndjekur nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut.  Ndërsa Shqipëria, nuk është fare në listën e vendeve të rajonit pasi nuk ka një minimum jetik të përcaktuar me ligj.

Në vendet e Bashkimit Europian, minimumi jetik është shumë herë më i lartë se në vendet e rajonit, ku po ta krahasojmë me Shqipërinë sipas ndihmave sociale që marrin qytetarët në nevojë, janë disa dhjetra herë më të larta.

Brenda BE-së vendi me nivelin më të lartë të minimumit jetik për vitin 2021 është Luksemburgu, me një vlerë 2 124 euro/muaj për individ. Vendi i dytë me kufirin më të lartë të minimumit jetik është Danimarka me vlerën 1 604 euro/muaj e ndjekur nga Holanda, Irlanda, Austria etj. Këto vende kanë një GDP të lartë për frymë, sisteme të shkëlqyera të kujdesit shëndetësor, nivele të larta arsimimi dhe shërbime sociale.

Nga ana tjetër, disa vende evropiane kanë një standard më të ulët jetese për shkak të faktorëve të tillë si paqëndrueshmëria ekonomike, paqëndrueshmëria politike dhe konfliktet. Vendet me vlerën më të ulët të minimumit jetik brenda Evropës janë Rumania (242 euro/muaj), Bullgaria (258 euro/muaj) dhe Hungaria (331 euro/muaj).

Vlera e minimumit jetik dukshëm është rritur vit pas viti 2012 deri 2021, çka tregon se janë rritur kostot e jetesës minimale. Konkretisht mesatarja e Bashkimit Europian për vitin 2012 shënonte vlerë e minimumit jetik prej 679 euro/muaj ndërsa në vitin 2021 shënonte 869 euro/muaj, çka tregon një rritje me 28% të kostove të jetesës, vlerë që pavarësisht mospasjes së një minimumi jetik ligjor në Shqipëri, apo mosindeksimit të ndihmës sociale prej një kohe të gjjatë, reflektohet edhe në çmimet dhe kostot e jetesës së familjeve shqiptare gjithashtu.

Vlerat e minimumit jetik të përcaktuar me ligj në vende të BE

Në një bisedë me ekspertin e ekonomisë, Rezart Prifti, ai shpjegon se për llogaritjen e minimumi jetik është një formulë ku përfshihet dieta, jetesa etj dhe me përllogaritjen e kësaj formule del vlerë goxha e lartë.

“Shumë varet nga shteti dhe çfarë aspektesh përfshihen në formulë që do të thotë se në Amerikë në minimum jetik futet edhe aksesi në internet ose aktiviitete që lidhen me kënaqësinë, ndërsa në Shqipëri mund të llogarisin vetëm mbjetesën”, shprehet ai.

Por ndryshe nga vende të BE-së apo më tej, në të cilat minimum jetik përfshin edhe nevojat mondane të një individi, metoda e përdorur për të llogaritur minimumin jetik në Shqipëri është ajo e njohur si Metoda e Varfërisë Absolute. Sipas kësaj metode llogariten kufiri i varfërisë ushqimore, dhe kufiri i varfërisë jo-ushqimore. Të dy këto kufij varfërie llogariten si kosto të nevojave bazike ushqimore dhe jo-ushqimore, dhe kur mblidhen ato japin kufirin e varfërisë si kërkesa minimale që duhet të plotësohen për të jetuar. Kostoja minimale e shportës ushqimore mujore, në Shqipëri, sipas normës ditore të kalorive për 1 të rritur, në mënyrë që ky i fundit të ketë input kalorik të nevojshëm 7,427 lekë, sipas INSTAT, për vitin 2019. Megjithatë, kjo është një përllogaritje e cila nuk është përcaktuar me ligj dhe mbahet vetëm për çështje statistikore.

Prifti shton se shteti shqiptar ka mbi një dekadë që refuzon ta përcaktojë minimumin jetik me ligj.  Për ekspertin Prifti thelbi i refuzimit është fakti se do të duhej të ndryshonte të gjithë sistemin e pagesave, rrogave, si dhe do të krijonte kaos në sistemin e sigurimeve shoqërore.

“Nëse minimumi vendoset 300 Euro, do të ndryshonte minimumi i rrogave, skema e pensioneve, skema e individëve në nevojë etj. Pra nuk është një reformë e vogël, por një ndryshim themelor i skemave, gjë që çon shtetin në kolapsje”, thotë ai duke shtuar se ka patuar shumë sugjerime nga Avokati i Popollit ose institucione ndërkombëtare, të cilat janë refuzuar sepse shteti është i papërgatitur që të kalojë në një stad të tillë.

“Për më shumë qeveria është e papërgatitur nga ana buxhetore dhe nga aspekti i strukturave që ka”

I pyetur nëse ky minimum jetik do të mund të behet realitet së shpejti, Prifti shprehet se “përcaktimi i minimumit jetik është një proces që do të marri shumë kohë”. Nër të tjera, Prifti thotë se anjë nga skemat e mbështetjes sociale që qeveria shqiptare ka për momentin nuk është në lartësinë e ndryshimeve ekonomike dhe sociale për të përballuar grupet në nevojë, për shkak se këto skema nuk kanë ndryshuar ndonjeherë.

“Ato nuk kanë efektin që duhet të kenë dhe thjeshtë kanë mbetur indulgjenca që janë mbetje nga strukturat që ka Shqipëria”, thotë ai duke shtuar se edhe pse Shqipëria ka 30 vite në tregun e lirë ende diskutojmë për skemat e ndihmës sociale.

“Një vend që ka mirëqënie nuk diskuton për to por për politikat e zhvillimit, politikat e sipërmarrjes dhe iniciativën e lirë, infrastrukturën dhe arsimin”, përfundon ai.

21 mije firma në KQZ  për miratimin e minimumit jetik

Në 32 vite si një shtet me sistemin demokratik të qeverisjes, në Shqipëri asnjë prej qeverive nuk ka guxuar të hapë debatin për minimumin jetik. Aktualisht, më shumë se 21 mijë firma nga qytetarët janë depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për ti dhënë jetë një nisme ligjore për këtë kauze.

Emiljando Kita, aktivist në Organizatën Politike, e cila ka mbledhur firmat e qytetarëve, shprehet seata ndodhen në fazën ku KQZ ka verifikuar 21.300 firma dhe i ka shpallur të verteta dhe të sakta, dhe munimumi jetik është duke u përpiluar për t’u dërguar në Parlament.

Ai gjithashtu shton se Organizatat politike u ka bërë thirrje gjithë qytetarëve duke u thënë se një firmë nuk mjafton.

“Firma është për t’ia dërguar në vesh problemin qeverisë dhe opozitës, deputetëve të Parlamentit, të cilët nuk po dëgjojnë shqetësimet tona”, thotë ai.

Nisma është vetëm një hap i parë që garanton se kërkesa e qytetarëve do të dëgjohet nga parlamentarët, por në fund pushteti vendimmarrës mbetet tek këta të fundit.

Pavarësisht ketyre hapave, shumë familje të cilat mbijetojnë përmes ndihmës sociale të ofruar nga shteti, me shuma qesharake qe nuk kalojnë as 10,000 lekë në muaj, nuk e shohin afër ditën kur kjo ndihmë të plotësojë edhe nevojat e tyre minimale njerëzore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco