Studentët në Durrës kërkojnë ndërtimin e një konvikti

Studentët në Durrës kërkojnë ndërtimin e një konvikti

12:47, 26/12/2022
A+ Aa A-

Ndonëse renditet i dyti në vend për nga numri i studentëve, universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës prej 17 vitesh nuk ka një konvikt për studentët që vijnë nga rrethet. Një pjesë e studentëve kanë nisur mbledhjen e firmave për ndërtimin e konviktit, pasi shtëpitë me qira po shtrenjtohen dhe janë të vështira për t’u gjetur.

Studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës kërkojnë ngritjen e një konvikti pranë këtij universiteti. Prej 17 vitesh, që nga krijimi, ky universitet nuk ka ende një konvikt për studentët që vijnë nga rrethet e tjera dhe që nuk janë të paktë. Për këtë arsye, një grup studentësh kanë ndërmarrë një nismë për mbledhjen e firmave të nevojshme në mënyrë që të angazhojnë institucionet për ngritjen e konviktit.

“UAMD është universiteti i dytë më i madh në Shqipëri dhe pret shumë studentë nga rrethet, që në mungesë të konviktit duhet të paguajnë tarifa të larta për qiranë. Na duhen 2500 firma për ta çuar në instanca më të larta, deri më tani kemi marrë 400 firma”, shprehet një nga organizatoret e peticionit.

Sakaq studentët që vijnë nga rrethet e tjera tregojnë vështirësitë që hasin si për të gjetur banesa me qira në Durrës ashtu edhe për t’i paguar, ndërsa çmimet sa vijnë dhe rriten. “Për akomodim shpenzoj 25 mijë lekë”, thotë një studente, një tjetër shton se “është e vështirë të gjesh apartamente, sidomos pas tërmetit. Nuk ka shtëpi dhe janë shumë të vogla”. Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka pesë fakultete dhe numëron rreth njëzet mijë studentë, nga të cilët më shumë se 50% e të cilëve vijnë nga rrethet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco