Të martohet shqiptari me disa gra?! Një shpjegim i kthjellët i imamit kosovar Bekim Jashari

Të martohet shqiptari me disa gra?! Një shpjegim i kthjellët i imamit kosovar Bekim Jashari

08:09, 12/10/2022
A+ Aa A-

 

Poligamia në Kosovë nuk lejohet me ligj, por, sipas disa personave, lejohet me fenë islame. Një kundërshtim i tillë ligj-fe, ka qenë temë diskutimi prej disa ditësh. Syri.net Kosova, sjell më poshtë versionet se si shihet kjo çështje në kontekstin fetar dhe  në atë institucional

Nga Erdonit Hoxha

Një deklaratë e Ikballe Berishës (Hudutit) lidhur me poligaminë dhe martesat e përkohshme, ka ngritur peshë gjithë komentuesit e zjarrtë në rrjetet sociale.

Ajo tha se burri ka drejtë t’i ketë disa gra, madje, e lejon bashkëshortin e saj që të ketë martesa të përkohshme, kur udhëton jashtë Kosovës.

Përveç qytetarëve, një deklaratë e tillë zgjoi vëmendjen edhe të analistes Luljeta Aliut, e cila kërkoi hetim nga prokuroria për martesën e znj. Berisha Huduti, sidomos për bashkëshortin e saj, i cili në rast se është martuar me Ikballen sipas ligjit të vendit dhe në rast se ka bërë martesa të përkohshme, duhet dënuar, pasi, ligjet e Kosovës e ndalojnë poligaminë.

Mirëpo, a lejohet poligamia sipas fesë islame, pasi, znj. Ikballe Berisha (Huduti) në deklaratat e saj, referohej në despozitat islame?

Për martesën me një apo më shumë gra, ka folur imami kosovar, Bekim Jashari. Në një prononcim për Syri.net Kosova, ai tha se martesa llogaritet si leje nga Zoti dhe se poligamia varet në lejohet nga shtetet e ndryshme, pra, s’është e njëjtë në secilin shtet.

“Në lidhje me temën tuaj, konsideroj që është një temë që zakonisht individë të njëjtë e plasojnë pothuajse çdo ditë për opinionin tonë. Së pari, është krejtësisht tematikë e panevojshme për t’u plasur në opinion në mënyrën si po plasohet.

E dyta, konsideroj që kjo çështje po bëhet si presion për gruan që të nënshtrohet paraprakisht ndaj dëshirave e epsheve. Në parim, martesa në Islam nuk është mënyrë urdhërore të prerë, ajo si normë llogaritet leje, pra martesa është leje nga Zoti; po flas për martesën e jo për numrin. Hapësira e diskutimit të numrit varet krejtësisht nga zakonet dhe traditat e popujve si dhe nga sistemi legjislativ i shteteve” tha imami.

I pyetur për martesat e përkohshme, imami tha se kjo çështje nuk korrespondon me tradita tona shqiptare.

“Ata që hapin këto tema është mirë të na përgjigjen se: A do të ndëshkohet në botën tjetër dikush që ka vendosur të jetojë i pamartuar? Kurani ka gjëra që janë urdhërore dhe gjenerale si dhe gjëra që kanë mbetur në heshtje për t’u komentuar dhe interpretuar, kurse gjërat specifike i takojnë një situate e një aktualiteti.  

Nga Zoti, ne kemi hapësirë për të ndërtuar jetën konform situatave aktuale. Të mos harrojmë se ne jemi shoqëri shqiptare-evropiane dhe kemi traditat tona që në kuadër të hapësirës pranuese edhe mund të veprojmë, sepse, kjo nuk bie ndesh me mësimet hyjnore.  

Është e papranueshme dhe e pamundur të flasim ne në Evropë dhe shqiptari me mendësinë e kuptimit fetar të vendeve që merren me lejesa të përkohshme dhe që bisedë ditore kanë martesën apo femrën. Ata kanë rregullat e tyre konform situatave në vendet e tyre” përfundoi ai.

Për sa i përket martesave fetare, kjo gjë në Kosovë është përcaktuar edhe sipas ligjeve. Ligji për familje, neni 36 parashikon që çiftet që duan të martohen sipas besimeve, fillimisht duhet të martohen sipas ligjit.

“Personat që dëshirojnë të lidhin martesë në pajtim me rregullat fetare (religjioze) nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, përderisa ata nuk e dëshmojnë lidhjen e martesës ligjore me çertifikatë të lëshuar nga regjistri i ofiqarit” thuhet në nen.

Syri. net Kosova ka provuar të merr një prononcim edhe nga ana e Prokurorisë në lidhje me martesa me më shumë se një grua, por, nuk kanë preferuar të flasin, për shkak të "procedurave".

Nga ana tjetër kujtojmë që për poligami shpeshherë në Kosovë janë lakuar edhe disa emra të politikanëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco