VIDEO-SYRI TV/ Shtrenjtimi i druve i bën dyshues korçarët: Po abuzojnë me çmimet

VIDEO-SYRI TV/ Shtrenjtimi i druve i bën dyshues korçarët: Po abuzojnë me çmimet

10:49, 24/09/2022
A+ Aa A-

Shtrenjtimi i druve që përdoren për ngrohje deri në 75 mijë lekë për metër kub, ka vënë në vështirësi qytetarët e Korçës. Ata ngrenë dyshime se po abuzohet me çmimet, pasi sipas tyre, në disa qytete si Erseka, Pogradeci apo Devolli, drutë shiten me 35 deri në 45 mijë për metër kub. Nga ana tjetër bashkia e Korçës thotë se nuk ka sipërfaqe pyjore për të siguruar dru zjarri, çka bën që tregu të furnizohet nga Librazhdi. Kjo, sipas bashkisë, sjell dhe rritje të çmimit.

Nga SYRI TV

Rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe kriza e çmimeve në tërësi, duket se po nxit një tjetër abuzim ndaj qytetarëve.

Teksa dimri po afron, pikat e druve në Korçë kanë dyfishuar çmimin për drutë e ngrohjes. Nga rreth 35 mijë metër kubi që ishte një vit më parë, këtë fillim vjeshte drutë e zjarrit po shiten deri në 75 mijë për metër kub.

Për banorët e Korçës, të cilët duan mesatarisht 7 deri në 10 metër kub dru zjarri në sezon, çmimi aktual i shitjes së tyre, është abuziv. Ata tregojnë se brenda qarkut, në qytete të ndryshme, drutë shiten më lirë sesa në Korçë.

Syri Televizion kërkoi prononcim nga bashkia e Korçës në lidhje me situatën. Por jashtë kameras, zyrtarë të bashkisë, tregua se sipërfaqja e cila përdoret për shfrytëzimin e druve të ngrohjes në bashkinë Korçë, mjafton për të siguruar lëndë drusore vetëm për shkollat, çerdhet dhe kopshtet. Për qytetarët, sqarojnë zyrtarët e bashkisë, drutë i janë lënë tregut të lirë.

E vetmja ndërhyrje nga ana e bashkisë është kërkesa që ju kanë nisur qyteteve të tjera si Librazhdi e Prrenjasi, qytete këto të cilat furnizojnë me dru zjarri pikat e shitjes në qytetin e Korçës. Sipas pushtetit lokal, mungesa e lëndës drusore në këtë bashkia dhe ardhja e saj nga Librazhdi dhe Prrenjasi, ka ndikuar edhe në rritjen e çmimit për qytetarët.

Gazetare: S .Xhomaqi

Redaktor: J. Hoxhaj

Montazhi: H. Maloku

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco