VIDEO-SYRI TV/ Shqipëria mban rekord për kërkesat për azil, në të njëjtin nivel me Ukrainën

13:18, 05/05/2022
A+ Aa A-

Shqipëria vazhdon të shënojë shifra rekord sa i përket kërkesave për azil. Për vitin 2021 vendet e BE-së kanë dhënë vendim azili për mbi 2 mijë shqiptarë nga 11 200 kërkesa. Këto shifra e rendisin Shqipërinë ndër 7 vendet e para në botë, mes vendeve të varfra apo të përfshira në luftë

SYRI TV

Shqipëria vijon të shënojë shifra rekord të azilantëve në Bashkimin Evropian. Sipas të dhënave të siguruara nga EUROSTAT, për vitin 2021 janë mbi 2 mijë shqiptarë që kanë marrë vendim azili, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 7 në botë për kërkesat për azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas këtyre të dhënave, Shqipëria ka rreth 200 kërkesa më pak se Ukraina, që këtë vit është në situatë lufte, ndërsa paraqitet me shifra të përafërta duke u ndjekur nga vende në luftë apo të varfra si Pakistani, Bangladeshi apo Afganistani.

Në raport me popullsinë, vendi ynë ka refuzimin më të lartë në botë me 71 refuzime për 100 mijë banorë, shumë më e lartë sesa shteti i dytë pas nesh, që është Somalia, me 15 refuzime për 100 mijë banorë.

Shteti që ka dhënë më shumë refuzime për shtetasit shqiptarë është Greqia me 1,020 refuzime, e ndjekur nga Gjermania me 480, Belgjika 200 dhe Suedia me 245 refuzime.

Në vitin 2021, sipas Eurostat u dhanë 255 vendime pozitive për shtetasit shqiptarë, gati gjysma e të cilave nga Italia. Të dhënat e tjera të Agjencisë për Azil të Bashkimit Evropian bëjnë të ditur se në vitin 2021, nga Shqipëria aplikuan gjithsej për azil 11200 persona, 77% e të cilëve e kishin aplikim për herë të parë.

Aplikimet për azil u rritën me 19%, por gjithsesi ato mbeten më të ulëtat që nga viti 2013. Rekordin e kërkesave për azil vijon ta mbajë viti 2015, me gati 69 mijë aplikime. Pavarësisht tendencës rënie, në raport me vendet e rajonit, shqiptarët duan të ikin më shumë se të gjithë shtetet e tjera të rajonit. Maqedonia e Veriut, që është shteti i dytë në listë pas nesh për kërkesat për azil ka rreth 5 mijë aplikime, apo më pak se gjysma e Shqipërisë.

Më pas renditet Serbia me 3,200, Bosnja- Hercegovina me 2500, Kosova me rreth 2,300 dhe Mali i Zi me më pak se 500. Edhe në raport me popullsinë Shqipëria mban rekord, me 3.9 aplikime për 1000 banorë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco