Mediet kosovare, 'të pamëshirshme’ për klikime dhe audiencë: Reagojnë profesionistët

Mediet kosovare, 'të pamëshirshme’ për klikime dhe audiencë: Reagojnë profesionistët

09:45, 07/02/2022
A+ Aa A-

Nëse dikur media ka qenë më shumë mjet informimi, se sa formë për të bërë biznes, kohëve të fundit, ka ndryshuar qasje. Shumë njerëz po e shfrytëzojnë medien, si metodë për të bërë para, kështu, duke hapur kanale televizive, apo, gazeta online. Duke qenë se kanalet televizive duhet mbushur me emisione, atëherë, daljen para ekranit e kanë të mundshëm shumë persona, qofshin ata fytyra publike, ose jo. Mirëpo, nuk mungojnë rastet kur personat jopublik, brenda natës bëhen viral para audiencës përmes rrjeteve sociale, ose medieve, duke qenë shpeshherë edhe pikë për t’u bullizuar. Syri.net Kosova sjell më poshtë disa mendime, lidhur me këtë çështje, që po bëhet mjaft shqetësuese

Nga Erdonit Hoxha, Syri.net Kosova

Ditëve të fundit, mjafton të bësh një veprim paksa interesant, ta hedhesh atë në rrjetet sociale dhe do jesh i ftuari i shumë medieve, për të folur rreth famës që merr po në këto rrjete.

Pra, sot, të bëhesh i famshëm është aq e lehtë, sa mjafton një video disa sekondëshe. Mirëpo, edhe fama që merr, ka dy anët e medaljes, pasi, “risia” e të famshmëve brenda ditës, jo çdoherë pritet mirë nga audienca. Pra, personat e tillë, që shpeshherë nuk dinë si të mbrohen nga rrjetet sociale dhe mediet, bëhen objekt tallje.

E, edhe mediet, sidomos emisionet ditore, po shkojnë dhe gjejnë njerëz, duke u dhënë hapësirë e duke i bërë viral ata dhe duke i ‘sërvuar’ para një audience, që duket sikur mezi pret që deklaratat  apo veprimet e personave që dalin para kamere, t’i kthejnë në komedi e shaka.

Kjo formë se si po funksionojnë mediet sot, po del të jetë shumë shqetësuese për redaktorin dhe gazetarin kosovar, Mehdi Mulaj.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, Mulaj tha se u mungon politika e mirëfilltë redaktuese dhe se mediet janë të “sëmura” për klikime.

“Ky nivel gazetarie, i cili më së paku mund të quhet “gazetari”, e aq më pak “profesionale”, ka bërë që në shumë raste jeta private e njerëzve që aspak nuk janë interesant për publikun, të shpërfaqen nëpër këto portale, madje me mbishkrime nxitëse, të cilat më pas lexuesit (komentuesit) janë vërshuar me shpërndarje të materialit e me komente fyese” tha ai.

Mulaj ka folur edhe për formën se si gazetarët nuk duhet t’u binden gjithmonë urdhrave të pronarëve medial.

“Dallimi mes jetës private dhe asaj publike është kriteri minimal të cilin një gazetar, e aq më shumë një media, duhet të dijë ta dallojë. Madje ka edhe jetë private të njerëzve publik – nuk dua të flas për këtë nivel, sepse mund të jetë temë e thellë për disa portale! Ka mënyra se si një gjë private e dikujt mund të bëhet publike – vetëm se duhet shfletuar literatura e jo t’u bindemi “kërkesave të çmendura” të pronarëve të medias. Pra duhet bërë me pëlqimin e palës për të cilën flitet” shtoi redaktori.

I pyetur se a ka përgjegjësi media për personin që e vë para një audience bullizuese, Mulaj tha se padyshim që përgjegjësia bie mbi ta.

“Sigurisht se media që ka publikuar shkrimin apo kanë transmetuar videon, kanë përgjegjësi nëse pala tjetër fyhet, ndoshta deri në linçim, nëse kjo është bërë pa pëlqimin e palës për të cilën flitet. Ky nivel i shkeljes së kritereve minimale gazetareske duhet të jetë i ndëshkueshëm nga organet mbikëqyrëse të medieve. Gazetaria në Kosovë ka kohë që është në krizë profesionale!” përfundoi Mulaj.

Duke qenë se e ka emisionin ditor, autorja dhe moderatorja e Kanal10, Egzona Krasniqi, gjen personazhe të ndryshëm, që t’i sjell para publikut të saj.

Në një prononcim dhënë për Syri Kosova, ajo tha se emisioni saj ka përmbajtje popullore, andaj, mundohet që para publikut të sjell personazhe, qofshin ato publik apo jo, por, që kanë rrëfime interesante për të bërë.

“Për disa figura popullariteti i tyre është i ndërtuar mbi talentin që kanë, ndërsa, disa “yje” janë të famshëm, ngaqë jeta e tyre mbulohet në mënyrë aktive nga media. Shumë njerëz e pyesin veten se si kanë arritur nga një video të marrin “famën” brenda natës, por, nga kjo mjafton paraqitje e shpesh e një rrëfimi në ekranet televizive. Tash me rrjetet sociale kufiri mes një ylli dhe një personi të zakonshëm është i paqartë, emisioni të cilin unë e drejtoj ka si qëllim që të jetë afër publikut me rrëfimet e storje sa me “popullore”, sa më reale, aq më shumë të klikuara, ka filluar të behet trendi i shikueshmërisë. Padyshim, politikat redaktoriale çdoherë janë në paralele me etiken e gazetarisë, atë çka ne në fakt servojmë para shikuesit, e të njëjtën kohë impaktin dhe orientimin që marrin po këto rrëfime” tha moderatorja.

Për formën se si funksionojnë mediet, ka reaguar edhe Agron Demi nga Instituti GAP. Përmes një statusi në Facebook, Demi tha se këto raste siç po ndodhin në mediet kosovare, do duheshin të dënoheshin nga Komisioni i Pavarur i Medieve.

“Sa e sa raste, mediat kane shku dhe kane gjete persona teresisht privat, i kane vu para kameres, dhe i kane ekspozu per te gjithe per me i fy nje vend i tere? Edhe asnje rast nuk eshte denu prej Komisionit te Pavarur te Mediave. E te njejten gjuhe e sjellje e ke edhe ne debate televizive, perveqse aty bullistat edhe paguhen me pare. E gerrditshme e e rrezikshme” ka shkruar Demi.

Pikërisht për këtë çështje, Syri.net Kosova ka provuar të marr një qëndrim të KPM-së, lidhur me rastin se a janë dënuar mediet për veprime të tilla, por, ata nuk janë përgjigjur.

Nga ana tjetër, kujtojmë që rasti i fundit ku një person që u bë publik përmes medieve e rrjeteve sociale, u ofendua nga persona të ndryshëm, për faktin se tregoi hobin e tij për të vallëzuar, ani pse ishte profesor.

Por, nuk kanë munguar as raste tjera bullizuese, siç janë të njohura ato si një person nga Vushtrria që deklaroi se i pi 70 çaja në ditë, një person i njohur për “Diçka për Mitrovicën”, një tjetër për deklaratën e “fusnotës” apo edhe një person tjetër i moshës të shtyer, kur u pyet për përdorimin e barnave pa recetë të mjekut.

Pra, mediat në Kosovë po dalin të jenë urëlidhëse mes personave që i bën viral dhe atyre që bullizojnë me ta!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco