VIDEO-SYRI TV/ Universitetet respektojnë autonominë, thyhet urdhri për studentët e pavaksinuar

VIDEO-SYRI TV/ Universitetet respektojnë autonominë, thyhet urdhri për studentët e pavaksinuar

15:21, 18/10/2021
A+ Aa A-

Teksa në Tiranë kishte tensione mes stafit akademik dhe studentëve, universitetet e rretheve kanë sfiduar urdhrin e Ministrisë së Arsimit. Duke u bazuar tek autonomia, Rektorët e Universitetit të Durrësit, Vlorës dhe Korçës kanë vendosur të lejojnë hyrjen e studentëve edhe pa vaksinë. Nga këto universitete pritet një vendim sqarues në ditët në vijim.

Nga SYRI TV

Rektorët e universiteteve të rretheve, ndryshe nga kolegët e tyre në Tiranë, kanë sfiduar urdhrin e Komitetit Teknik dhe Ministrisë së Arsimit, duke lejuar futjen në auditore edhe të studentëve të pavaksinuar. Vendimi për të lejuar futjen e studentëve në auditore edhe nëse nuk janë të vaksinuar, duket se ka qenë i koordinuar mes rektorëve të gjashtë universiteteve publike në rrethe.

Në universitetet e Elbasanit, Korçës, Gjirokastrës, Shkodrës, Vlorës dhe Durrësit, mësimi në auditore nisi normalisht, ku të gjithë studentët u lejuan të futen në auditore pa u kërkuar certifikatë vaksinimi, test PCR apo vërtetim që e kanë kaluar covid-19.

Zëvendës rektori i Universitetit të Korçës, Artur Adili deklaroi se studentët nuk do të pengohen të zhvillojnë mësim, ndërsa shtoi se ata që nuk e kanë kryer vaksinën do të qëndrojnë me maska në auditore.

Ndërkohë, rektori i universitetit të Gjirokastrës Bektash Mema dhe rektorja e universitetit të Shkodrës, Suzana Golemi, u shprehën se do të shihet në vijimësi vendimi për studentët e pavaksinuar, ndërsa për momentin ata do të vijojnë mësimin në auditore.

Por pas këtij vendimi të rektorëve të universiteteve të rretheve, Inspektorati Shëndetësor Shtetëror në Durrës, zbarkoi në universitetin e Durrësit për kontrolle. Një nga inspektorët, u shpreh për mediat se kontrollet do të jenë të vazhdueshme, për të parë zbatimin ose jo të udhëzimeve të ministrisë.

Deri më tani janë vaksinuar një numër i ulët studentësh në universitetet e rretheve, ndërsa ata që ende nuk e kanë kryer, shpresojnë që do të ketë tolerime pasi kanë frikë të vaksinohen.

Rektorët e universiteteve publike në rrethe deklaruan gjithashtu se fushata e vaksinimit për studentët do të vijojë, duke u paraprirë nga fushata sensibilizimi. Ndërkohë, në ditët në vijim, pritet që këto universitete të nxjerrin udhëzime sqaruese për studentët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco