Hera e parë në historinë e Shqipërisë, shtesa natyrore e popullsisë ishte negative

Hera e parë në historinë e Shqipërisë, shtesa natyrore e popullsisë ishte negative

07:44, 25/01/2021
A+ Aa A-

Me vdekjet që arritën në nivele rekord në 2020-s, si rrjedhojë e pasojave fatale të pandemisë së Covid-19 dhe tendencën rënëse të lindshmërisë, për herë të parë në historinë e Shqipërisë shtesa natyrore e popullsisë ishte negative në vitin që sapo lamë pas.

Sipas të dhënave paraprake nga Drejtoria e Gjendjes Civile, vdekjet në total në vend ishin 28,026 persona në 2020-n, me një rritje të fortë prej gati 28% në krahasim me vitin e mëparshëm, ose rreth 6 mijë persona më shumë se viti i mëparshëm, duke shënuar një nivel rekord historik të lartë.

Për të njëjtën periudhë, sipas akt lindjeve, në vend u regjistruan rreth 27,600 lindje, me një tkurrje të lehtë prej 0.2%. Për herë të parë në historinë e vendit, vdekjet i tejkaluan lehtë lindjet (me rreth 400 persona).

Ky është niveli më i ulët i shtesës natyrore të popullsisë, së paku që nga viti 1948, pak vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, sipas të dhënave të INSTAT. Por të dhënat më të hershme, por jo të grupuara vit pas viti, tregojnë se Shqipëria ka shtesën natyrore të popullsisë në nivelin më të ulët që nga viti 1923, që kur ka nisur regjistrimit, pasi shtesa e popullsisë gjatë viteve 1923-1945, sipas të dhënave zyrtare, ishte mesatarisht mbi 18 mijë persona në vit.

    Që prej kulmimit, në fillim të viteve ’90, shtesa natyrore e popullsisë ka ardhur në rënie të vazhdueshme, duke reflektuar rritjen e moshës mesatare të popullsisë, nivelin e lartë të emigracionit, zvogëlimin e familjeve dhe rënien e fertilitetit (aktualisht rreth 1.35 lindje për grua, ndër më të ulëtat në Europë).

    Në vitin 1900, shtesa natyrore e popullsisë ishte rreth 64 mijë persona, ndërsa në 2019-n zbriti në rreth 6 mijë persona, sipas të dhënave të INSTAT, duke shkuar drejt tendencës së barazimit të lindjeve me vdekjeve për një periudhë disa vjeçare. Por, pandemia e Covid-19 e përshpejtoi këtë proces, për shkak të numrit të lartë të fataliteteve.

    Shqipëria bëhet në këtë mënyrë vendi i dytë në rajon, pas Serbisë, me shtesë natyrore negative.

    Një tjetër faktor që ndikon në rënien e popullsisë është dhe niveli i lartë i emigracionit në dekadat e fundit, me rreth 40% të popullsisë që jeton jashtë. Tendenca e emigrimit është përshpejtuar sërish vitet e fundit, duke përfshirë dhe largimin e familjeve. Shifrat zyrtare të INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2011-2019 janë larguar nga vendi mbi 360 mijë persona, ose 13% e popullsisë banuese në vitin 2011. Rezultatet dolën nga anketa e madhe e emigracionit që zhvilloi INSTAT, në bashkëpunim me donatorët në rreth 20 mijë familje (anktea u zhvillua në prill-korrik 2019). Anketa ka zbuluar një fakt të frikshëm në dekadën e kaluar, pasi fenomeni është zgjeruar në emigrimin e së gjithë familjes. Gjatë 10-vjeçarit të fundit janë larguar nga vendi 6,6% e familjeve, gjithsej 49,500 të tilla, ndërsa në vitet 2001-2011 ishin larguar 4.4% e njësive familjare.

    Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, popullsia rezidente e Shqipërisë në fillim të 2020-s ishte rreth 2.85 milionë persona, por do të jetë censi i radhës (i parashikuar për në 2020, por tashmë i shtyrë për në 2022), që do të tregojnë shifrat e vërteta të personave që kanë mbetur në Shqipëri. /O.Liperi/MONITOR

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco