Nga nesër 472 shërbime kalojnë online/ Si bëhet aplikimi për dokumentet

Nga nesër 472 shërbime kalojnë online/ Si bëhet aplikimi për dokumentet

20:44, 05/01/2020
A+ Aa A-

Nesër do të nisë kalimi në online i një pjese të shërbimeve. Saktësisht janë 472 aplikime për shërbime që deri tani krijonin radhë nëpër sportele tani do të bëhen online përmes smartfonit apo kompjuterit. Por pavarësisht se nesër do të nisin shërbimet online, sportelet nuk do të mbyllen menjëherë. 

Linda Karcanaj, drejtoresha te AKSHI-it, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit u shpreh pak ditë më parë se punonjësit pas trajnimit janë gati për ditën e nesërme.

Por si mund të bëhet një aplikim online?

Çdo qytetar mund të regjistrohet te e-Albania nga kompjuteri ose telefoni. Dokumentet shoqëruese që jepen nga shteti sigurohen nga punonjësi, ndërsa qytetari duhet të bashkëngjisë vetëm vetëdeklarimet dhe dokumente që jepen nga privati. Te e-Albania do të gjeni edhe listën e shërbimeve që do të aplikohet vetëm online. 

Sipas qeverisë, qytetarëve nga dita e hënë (nesër) nuk do t’u kërkohen më dokumente shtetërore kur aplikojnë, po vetëm dokumente që janë individualë. Të gjithë dokumentet shtetërorë të nevojshëm për dosjen e aplikimit online, do të sigurohen për llogari të qytetarit, nga vetë punonjësi i sportelit përkatës.

Qytetarët do të mund ta ndjekin online ecurinë e aplikimit të tyre dhe do të paraqiten në sportel vetëm nëse prezenca e tyre është e detyrueshme nga përcaktimet ligjore për të marrë shërbimin. Ky proces transformues rrënjësor sipas kryeministrit do të zhdukë brenda 2020-ës, radhët për të kërkuar një shërbim; shkurtojë kohën e humbur për të marrë një shërbim; eliminojë masivisht ryshfetin. Ndërkohë që në qershor do të hyjë online blloku i dytë prej 395 shërbimesh dhe deri në fund të vitit 2020 do të jenë 91% të të gjitha aplikimeve për shërbime.

Kalimin e shërbimeve online kryeministri Rama pak javë më parë e cilësoi si një nga shtatë prioritetet e qeverisë së tij për vitin 2020.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shpjegoi se do të synohet që procesi të jetë sa më i thjeshtë, por nga ana tjetër, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, për një periudhë të caktuar pranë sporteleve do të ketë asistencë për qytetarët që duan të dijnë se si kryhet aplikimi online. /Shqiptarja.com

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco