Matura 2019, dalin datat e provimeve për maturantët, ja cili është i pari

Matura 2019, dalin datat e provimeve për maturantët, ja cili është i pari

13:15, 02/01/2019
A+ Aa A-

Vetëm pak ditë pas publikimit të rregullores, Ministria e Arsimit ka bërë publike datat e provimeve të Maturës.

Ndryshe nga vitet e kaluara, që nisnin që në fund të majit, këtë vit ato do të startojnë më 7 qershor e përfundojnë në datën 24 me të vetmin provim me zgjedhje. Lënda e Gjuhës së Huaj do të jetë i pari provim, i pasuar nga Gjuha Shqipe e Letërsia më 12 qershor dhe Matematika pesë ditë më vonë.

Për tri provimet e para, maturantët kanë kohë pesë ditë ndërmjet për t’u përgatitur, ndërsa për lëndën me zgjedhje kanë një javë afat. Për hartimin e fondit të pyetjeve për provime do të përzgjidhet një grup ekspertësh, ndërsa teza me pyetjet finale, si çdo vit do të zgjidhjet automatikisht.

Si provimet me detyrim, ashtu dhe ai me zgjedhje do të kenë të njëjtën kohëzgjatje, 2 orë e 30 minuta, ndërsa vlerësimi i tyre do të kalojë në dy duar korrigjuesish. Por më parë, drejtoritë e shkollave janë të detyruara të zhvillojnë konsultime për maturantët gjatë orëve të mësimit.

Matura 2019 këtë vit vjen me disa risi, për të cilat gjimnazistët janë informuar që vitin e kaluar përmes një udhëzimi të posaçëm. Nga dy, maturantët do t’i nënshtrohen vetëm një provimi, të cilin do ta caktojnë që në fillim të muajit janar me plotësimin e Formularit A1, fillimisht në portalin qeveritar e-albania dhe më pas në portalin e Maturës Shtetërore.

Këtë pjesë do ta kenë më të lehtë, pasi MAS ka reduktuar ndjeshëm numrin e lëndëve me zgjedhje, duke e çuar nga 24 alternativa në tetë të tilla. Përveç lëndës me zgjedhje, në formular ata do të duhet të zgjedhin dhe gjuhën e huaj që dëshirojnë të testohen: anglisht, frëngjisht, italisht dhe gjermanisht.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco