Njerëzit që përballen me perspektivën e frikshme të operimit duhet të ushtrohen dhe të hanë shëndetshëm si pjesë e një "para-trajtimi", që synon të ndihmojë në rikuperimin pas operacionit, sipas studiuesve nga Universiteti i Kalifornisë, Los Angeles (UCLA).
"Qasja në zhvillim" ndaj përgatitjes për operacion është zbuluar se shkurton kohën e qëndrimit në spital dhe përgjysmon mundësinë e ndërlikimeve pas një operacioni, tha ekipi i UCLA-së, pas një studimi të 23 provave që përfshinin rreth 2,100 persona që iu nënshtruan një procedure dhe rehabilitimi.
Të ngrënit mirë para operacionit uli qëndrimet në spital me 14%, sipas ekipit, ndërsa një program fitnesi para operacionit uli qëndrimet me 11%, dhe nënkuptonte një ulje prej 55% të gjasave të komplikacioneve pas operacionit.
Studiuesit thanë se shqyrtuan se si i ashtuquajturi rehabilitim ndikoi në ndërlikimet brenda 12 javëve pas operacionit, si dhe ndikimet e lidhura me të në cilësinë e jetës dhe shëndetin mendor.
"Programet e para-rehabilitimit të bazuara në ushtrime ose të ushqyerjes, zvogëlojnë kohëzgjatjen e qëndrimeve dhe ndërlikimet në kontekste të shumta kirurgjikale", tha ekipi në një punim të botuar nga Revista e Kolegjit Amerikan të Kirurgëve (JACS). Ata që vazhduan me përgatitjen e bazuar në ushtrime para operacionit, panë një shans 55% më të ulët për ndërlikime krahasuar me kujdesin standard.
Nevoja për t’u ushtruar para operacionit ka qenë prej kohësh një parakusht për disa operacione, të tilla si rindërtimi i gjurit pas një këputjeje të ligamentit të kryqëzuar anterior (ACL).
Një mjek ndonjëherë mund të përcaktojë se një kandidat për operacion nuk ka forcë të mjaftueshme për këmbët dhe muskujt, që do të thotë se përshkruhen javë të tëra me ditë për këmbët në palestër dhe çiklizëm para se të kryhet operacioni. Pacientit më pas i këshillohet të ndjekë një rehabilitim të mundimshëm dhe që kërkon shumë kohë, i cili mund të zgjasë nga gjashtë deri në nëntë muaj.
Në studimin e tyre, ekipi i UCLA zbuloi, ndoshta jo çuditërisht, se përgatitja e bazuar në ushtrime përdorej në rastet e kirurgjisë ortopedike, ndërsa ushqyerja ishte në fokus kur bëhej fjalë për përgatitjen për procedurat gastrointestinale dhe kardiake.
"Si programet ushqyese ashtu edhe ato të bazuara në ushtrime parapërgatitore mund të përmirësojnë rikuperimin pas operacionit, por secili mund të ofrojë përfitime të ndryshme", tha Catherine Cascavita e Departamentit të Kirurgjisë të UCLA-së, duke bërë thirrje për kërkime të mëtejshme për të përshtatur regjimet e personalizuara bazuar në pacientin dhe llojin e operacionit.
"Sapo kemi filluar të kuptojmë se si mund t'i përmirësojmë rezultatet kirurgjikale, përpara se një pacient t'i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale", tha Justine Lee e Shkollës së Mjekësisë të UCLA-së./ DPA News.
© SYRI.net