Në trupin e njeriut zakonisht gjenden katër gjëndra paratiroide, të vendosura pas gjëndrës tiroide. Megjithëse të vogla vetëm 3-5 mm, roli i tyre në rregullimin e metabolizmit të kalciumit është thelbësor, shkruan Dr. Tijana Dangubić, endokrinologe, për Stethoscope.
Gjëndrat paratiroide sekretojnë hormonin paratiroid (PTH), i cili ndihmon në lirimin e kalciumit nga kockat, rrit përthithjen e tij në zorrë dhe rikthimin në veshka, si dhe nxit largimin e fosfatit nga organizmi. Në këtë mënyrë, ato ruajnë ekuilibrin e kalciumit dhe fosfatit në trup.
Sipas Dr. Dangubić, çrregullimet e gjëndrave paratiroide janë të vështira për t’u zbuluar, pasi shpesh nuk japin simptoma të qarta. Diagnoza kërkon analiza laboratorike, ultratinguj ose shintigrafi. Ndër simptomat që mund të shfaqen tek hiperkalcemia janë gurët në veshka, lodhja, depresioni, dhimbjet e stomakut dhe ndryshimet në EKG, ndërsa tek hipokalcemi shfaqen spazma muskulore, ndjesi shpimi gjilpërash, rënie flokësh, thonj të brishtë dhe katarakte.
Hiperparatiroidizmi, më i shpeshti tek gratë në menopauzë, shpesh shkaktohet nga adenoma e gjëndrave paratiroide, ndërsa hipoparatiroidizmi lidhet me sekrecion të pamjaftueshëm të hormonit PTH, zakonisht pas ndërhyrjeve kirurgjikale ose prej shkaqeve autoimune.
Trajtimi ndryshon sipas diagnozës: nga kirurgjia për adenomat deri te suplementet me kalcium dhe vitaminë D në rastet e hipoparatiroidizmit. Ekspertët theksojnë se testet e rregullta të kalciumit, fosforit dhe vitaminës D janë thelbësore për të zbuluar problemet në kohë dhe për t’i trajtuar ato me sukses.
© SYRI.net