Deputeti i Partisë Demokratike, njëherazi dhe bashkëkryetar i ‘Komisionit për Reformën Zgjedhore’, Oerd Bylykbashi, akuzoi qeverinë se ka kthyer shtetin në funksion të partisë në pushtet për të deformuar procesin zgjedhor.
Gjatë tryezës teknike për reformën zgjedhore, në prani të përfaqësuesve ndërkombëtarë, ai deklaroi se përdorimi i administratës, rrjeteve të patronazhimit dhe burimeve publike ka cenuar rëndë integritetin e zgjedhjeve, ndërsa paralajmëroi se pa masa të forta ligjore dhe sanksione efektive, Shqipëria rrezikon të mos zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në të ardhmen.
Ai ngriti shqetësimin për përdorimin e burimeve shtetërore, sistemin e patronazhimit dhe mungesën e ndëshkueshmërisë, duke kërkuar rregulla më të forta, sanksione të qarta dhe, nëse është e nevojshme, masa drastike për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor.
Bylykbashi: Pra, kjo nuk mund të jetë një çështje të cilën ne mund ta diskutojmë dhe ta mbyllim në këtë tryezë, bëmë një tryezë, pa i dhënë zgjidhje. Nëse nuk do të ketë një zgjidhje dhe ajo zgjidhje të jetë efikase, funksionale, nuk do të kemi bërë... Ky komision i reformës, sigurisht nuk do të ketë përmbushur një nga çështjet kryesore që ka dhe Shqipëria nuk do të ketë zgjedhje të ardhshme të lira. Dhe në vijim pra jo vetëm ato të ardhshme lokale, nuk do të ketë zgjedhje. Ne në vitin 2020 menduam që bëmë një set ndryshimesh të rëndësishme, siç e tha edhe zoti Gjiknuri, ndoshta shtete të tjera nuk i kanë, por me sa duket në Shqipëri, vullneti politik krijon një frymë dhe një ambient të tillë i cili zhbën rregullat dhe praktikat e zakonshme të shteteve të tjera. Na duhet të gjejmë, të kërkojmë zgjidhje më të forta. Ndoshta duke shkuar në maksimumin e hapësirave që na lejojnë kufizimet, qoftë ato kushtetuese apo standardeve, por e rëndësishme është të zgjidhim këtë problem. Kur themi ajo sigurisht që duhet... kur flasim për shtetin në zgjedhje, dhe praktikisht unë do të konsideroja pushtimin e zgjedhjeve nga shteti për llogari të partisë në pushtet, nuk është vetëm çështja e burimeve materiale, makina, zyra, apo çfarë burimesh të tjera materiale. Një problem, komponent shumë i madh, është burimet njerëzore dhe tashmë po flitet dhe në nivelin e Bashkimit Europian, flitet për rrjetet e patronazhimit. Pra është një problem, një problem që duhet zgjidhur, duhet eleminuar. Dhe sistemi i patronazhimit ka të bëjë me faktin e kontrollit jo të votës, por kontrollit të votuesit, intimidimit dhe bërjen të besojë se nuk ka opsion tjetër. Ne këtë duhet ta ndalojmë, qoftë dhe në gjykimin tonë nëse është e nevojshme duke kriminalizuar elemente specifikë të saj. Kemi aspektin financiar, përdorimin e buxhetit të shtetit. Nuk ka zgjedhje që përballon, ose fushatë që përballon buxhetin e shtetit. Ne mund të bëjmë rregullime shumë të forta në ligjin e partive politike për financimin, por asgjë nuk do të ndalojë dot nëse ne nuk vëmë rregulla strikte, ndalime, sanksione. Dhe ajo që unë dua të vij më pas... të them, në qoftë se ne ngremë një strukturë sanksionesh, ndalimesh dhe sanksionesh, por institucionet kompetente i shmangin, i zbehin, apo nuk veprojnë, krijojnë një frymë mosndëshkimi që për rrjedhojë, kjo prodhon që fenomeni vetëm rritet më tutje. Sigurisht që do të dëgjojmë eksperienca shumë të vlefshme dhe më pas do të jetë detyra jonë si komision për t'i dhënë drejtim kësaj. Unë besoj që periudha e gushtit, shtatorit duhet të jetë punë për ekspertët e komisionit, mbi bazën e gjithë asaj që ne do të mbledhim duke filluar nga sot këtu, për të ndërtuar propozime konkrete që shtatori dhe tetori, komisioni i reformës zgjedhore të ketë rregulla konkrete për të gjithë. Duhet të mendojmë një sistem funksional, jo thjesht disa deklarata dhe sigurisht nëse është e nevojshme duhet t'i përgjigjemi problemeve me maksimumin e vet. Ajo që në të shkuarën, Shqipëria jo në pak raste është dashur të shkojë në ekstrem. Për shembull, ligji i dekriminalizimit apo vettingu kanë detyruar parlamentin të marrë masa drastike për situata shumë të rënduara. Mesa duket dhe në këtë çështje, e tillë është situata, sepse të gjitha lidhen me keqqeverisjen ose mirëqeverisjen, dhe të gjitha janë themel i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kështu që unë edhe njëherë ju falënderoj për pjesëmarrjen sot.
© SYRI.net