Qeverisja e kryeministrit po përballet me ditët e saj më të errëta, e goditur rëndë nga rënia drastike e besueshmërisë publike. Analiza e situatës aktuale zbulon një asimetri të thellë në shoqëri, ku shtresa e varfër po zgjerohet me ritme alarmante, ndërsa një elitë e ngushtë ka përqendruar në duart e saj asetet dhe investimet publike. Të indinjuar nga kjo situatë, zërat kritikë janë shtuar, duke mos ardhur më vetëm nga qytetarët e thjeshtë, por edhe nga radhët e inteligjencës.
Keqleximi i reagimit qytetar dhe injorimi i një proteste që tashmë ka shënuar ditën e saj të 58-të, po jep pasoja të rënda jo vetëm në arenën e brendshme, por edhe në atë ndërkombëtare. Ndërkohë që brenda vendit situata mund të duket e menaxhueshme, gazetari Aleksandër Çipa gjatë një interviste në “Kafe Shqeto” në Syri tv vlerësoi se, partnerët ndërkombëtarë, me në krye shtete si Gjermania, kanë ashpërsuar tonet dhe veprimet kritike institucionale. Suksesi i dikurshëm diplomatik i kryeministrit me vendet e Bashkimit Evropian duket se po perëndon, i goditur ashpër nga jehona e protestave në mediat e huaja.
Nga ana tjetër, fati i rezistencës qytetare mbetet në një udhëkryq të rrezikshëm. Zgjerimi i lëvizjes dhe kalimi i saj në një fazë më të thellë kërkon domosdoshmërisht fokusimin te drejtësia. Megjithatë, pikërisht raporti me organet e reja të drejtësisë po kthehet në një vijë ndarëse për grupet me ideologji të ndryshme që kërkojnë rënien e qeverisë. Mungesa e një organizimi koherent pas kësaj lëvizjeje i bën zhvillimet e ardhshme tërësisht të paparashikueshme.
Flavio Qarri: ... nuk e themi dot po që ka vjedhur për shembull?
Aleksandër Çipa: Po nuk ka asnjë dyshim që qeverisja e kryeministrit Rama është në ditën e vështirë të saj. Dhe nuk është në ditën e vështirë për shkak se ndodhet para një proteste zgjedhore, por është në ditë të vështirë për shkak se është bjerrur besueshmëria publike në shumë aspekte. Janë krijuar asimetri të thella në raportet e mbështetjes së shtresave të gjera shoqërore. Po ta vësh re, ditët e fundit ka zëra të inteligjencës shqiptare që e kanë rritur tonin kritik ndaj qeverisjes dhe marrëdhënies që ka krijuar ajo me qytetarët. Ka zëra gjithashtu nga shtresa e varfër e shoqërisë, e cila është zgjeruar në disproporcion me dy shtresat e tjera, të cilat, sidomos me shtresën e të pasurve, e cila ka gëzuar asetet dhe ka marrë atributet e administrimit të gjithçkaje që lidhet me financat publike dhe me investimet publike. E katërta, do të duhej që më herët shumica politike e Partisë Socialiste ta drejtlexonte nisjen e protestës e cila shënon ditën e 58 të saj. Kështu që në këtë këndvështrim ky keqlexim ose moslexim, ose mos vlerësim i reagimit qytetar, është ndoshta një nga produktet negative të marrëdhënies politike që ka sot kryeministri jo vetëm me partnerët e brendshëm, por në mënyrë të veçantë edhe me perceptimin me ndërkombëtarët.
Flavio Qarri: Por, mendoni se problemi i tij më i madh në këto momente është i brendshëm apo ndërkombëtar?
Aleksandër Çipa: Unë mendoj që në Shqipëri situata e brendshme ende është nën administrim ose thënë ndryshe është në përballim. Ndërsa në raportet ndërkombëtare kryesisht me shtetet e veçanta, sikundër është Gjermania, padyshim që është rritur sensi kritik, janë rritur veprimet kritike institucionale dhe nga ana tjetër nuk është më si ç'ka qenë më parë. Pra, në këtë këndvështrim vetë kryeministri nuk mund të ketë më atë sukses që ka pretenduar se e ka pasur me marrëdhënien diplomatike me partnerët ndërkombëtarë dhe me autoritetet shtetërore të vendeve të fuqishme të Bashkimit Evropian. Ka një situatë të re, e cila është detyrimisht e rrjedhur si e tillë për shkak të protestave dhe efektit që ajo ka pasur dhe vazhdon të ketë në mjedisin ndërkombëtar dhe sidomos në mediat ndërkombëtare…
© SYRI.net