Nga Gresa Kraja, BLOOMBERG
Parlamenti i Shqipërisë miratoi një hua prej 302 milionë dollarësh nga SHBA për të financuar blerje ushtarake, ndërsa vendi anëtar i NATO-s po rrit shpenzimet për mbrojtjen dhe po përgatitet të presë samitin e ardhshëm të aleancës.
Deputetët në Tiranë iu drejtuan një procedure të përshpejtuar për të miratuar marrëveshjen e mbrojtjes të hënën.
Politikanët e opozitës thanë se mbështesin investimet ushtarake, por kundërshtuan faktin se u ishte dhënë shumë pak kohë për të shqyrtuar marrëveshjen, pjesë të së cilës ishin konfidenciale dhe kërkonin që deputetët të nënshkruanin deklarata përpara se t'u jepej qasja për ta lexuar.
Ndërsa qeveria shqiptare nuk ka bërë publik normën e interesit dhe as nuk ka identifikuar pajisjet dhe shërbimet që planifikon të blejë me këto fonde, Ministria e Mbrojtjes tha se huaja do të financojë prokurimet për forcat ajrore, tokësore dhe detare të Shqipërisë, së bashku me mbrojtjen kibernetike, sistemet e komandimit dhe infrastrukturën ushtarake, sipas një deklarate për Bloomberg News.
Votimi u zhvillua ndërsa protestat dymujore, të quajtura Revolucioni i Flamingove, vazhdonin jashtë Parlamentit për shkak të resorteve luksoze të planifikuara, të lidhura me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Policia ndaloi disa persona të hënën, ndërsa demonstratat tani kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Huaja për mbrojtjen do të kanalizohet përmes programit amerikan Foreign Military Financing (FMF), me Defense Security Cooperation Agency (DSCA) që do të përfaqësojë Uashingtonin.
Ajo do të shlyhet për një periudhë deri në 12 vjet dhe do të disbursohet gradualisht sipas nevojave specifike ushtarake, sipas Taulant Ballës, kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste në pushtet.
Shqipëria do të ketë 48 muaj kohë për të aktivizuar financimin, me një periudhë grace deri në 12 muaj, tha Balla.
Buxheti i mbrojtjes i Shqipërisë për vitin 2026 është 58.9 miliardë lekë (717 milionë dollarë), 12% më i lartë se vitin e kaluar dhe i barabartë me 2.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), sipas Ministrisë së Mbrojtjes.
Kjo e vendos Shqipërinë pak mbi objektivin e mëparshëm prej 2% të NATO-s, por nën objektivin e ri prej 3.5% deri në vitin 2035.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, konfirmoi këtë muaj se samiti i ardhshëm i aleancës do të mbahet në Shqipëri, megjithëse koha e zhvillimit të tij nuk është përcaktuar ende.
© SYRI.net