Nga Agron Gjekmarkaj/
Milot–Balldren sot është rruga simbol i turpit, i fajit, i brengës dhe i pabesisë! Trembëdhjetë a më shumë herë është premtuar nga Edi Rama dhe ministrat e tij të Infrastrukturës. Trembëdhjetë a më shumë herë është dhënë fjala, “besa”!Trembëdhjetë a më shumë herë ajo “besë” është thyer si të ishte një kokërr vezë! Me atë lehtësi! Kjo nuk është më një vonesë administrative, është një histori e gjatë mashtrimi publik dhe politik!
Si deputet i qarkut të Lezhës, e kam për detyrë t’u jap zë mijëra qytetarëve që çdo ditë mbeten peng të një segmenti prej vetëm 17 kilometrash, të cilat metër për metër e kilometër për kilometër janë trafik që të merr 2, 3 apo 4 orë!
Nuk ka rëndësi nëse je socialist apo demokrat, banor i Lezhës, Shkodrës, Malësisë së Madhe, apo një qytetar i Kosovës që udhëton drejt Lezhës, detit, veriut apo Evropës! Të gjithë përballen me të njëjtin makth, kolona kilometrike, humbje kohe, ndotje, kosto ekonomike dhe rrezik për jetën. Është një atentat i përditshëm ndaj cilësisë së jetës dhe zhvillimit të veriut.
Kjo rrugë është arteria kryesore që lidh veriun me pjesën tjetër të vendit dhe me korridorin drejt Evropës.Çdo verë ajo shndërrohet në simbolin më të dukshëm sesi propaganda merr trajtën e gënjeshtrës.
Çdo verë vihet në lojë durimi e dinjiteti! Çdo verë është stinë ankthi!Turizmi dëmtohet, ekonomia ngadalësohet dhe qytetarët paguajnë faturën e paaftësisë ose të një modeli qeverisjeje që e ka kthyer premtimin në propagandë, besën në pabesi!
Ministri Karakaçi deklaroi se projekti kushton rreth 365 milionë euro në një kontratë koncesionare 35-vjeçare, duke argumentuar se në të përfshihen jo vetëm ndërtimi, por edhe projektimi, operimi dhe mirëmbajtja. 182 milionë rruga, 183 të tjera për xhinga-mingla!
Por qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparencë të plotë. Ata kanë të drejtë të pyesin dhe duhet ta bëjnë pareshtur pse një segment kaq i shkurtër ka nxitur kaq shumë polemika mbi koston, ndërsa ende nuk shohin asfaltin as të filluar e as të përfunduar, por vetëm premtime të përsëritura.
Mjafton të kujtojmë Tunelin e Thirrës, një vepër e ndërtuar në një terren të vështirë malor, për të kuptuar se shqiptarët kanë arsye të kërkojnë llogari, ku një km kushtonte 9–11 milionë dollarë, tani në fushë kilometri shkon 19–22 milionë euro!
Rruga Lushnjë–Fier u ndërtua e gjitha me një milion dollarë për kilometër, kur vendi qeverisej nga PD!
Kur krahasimet bëhen të pashmangshme, detyra e qeverisë nuk është të sulmojë e të fyejë ata që shqetësohen, por t’u përgjigjet atyre me fakte, dokumente dhe transparencë. Mbi të gjitha, të reagojë, të vihet në lëvizje, jo të shpikë një tjetër justifikim banal!
Milot–Balldren nuk është thjesht një projekt infrastrukturor. Është një provë e besueshmërisë së shtetit. Dhe, për sa kohë kjo rrugë mbetet peng i premtimeve, çdo ditë trafiku mbi të është kujtesa më e fortë se mes fjalëve dhe veprave të kësaj qeverie vazhdon të ekzistojë një hendek i madh. Këtë s’e mbushin dot rrenat në varg si fiq të thatë!
Qytetarët e Lezhës dhe të gjithë veriut nuk kërkojnë mrekulli, kërkojnë rrugën që u duhet, që u takon! Udhëtoni nga Miloti në Balldren për të kuptuar sa i vogël është respekti për njeriun, për qytetarin!
© SYRI.net