Nga Kim Mehmeti - 22:27, 25/07/2026
Ne që prej vitesh e kritikojmë Piktorin nuk do të arrinim ta shpërfaqnim fytyrën e tij ashtu siç e bënë të rinjtë që protestojnë në Tiranë, edhe sikur të shkruanim kundër tij qindra vjet me radhë.
Pra, zëri i shpresës që jehoi në bulevardet e Tiranës është ai që e portretizoi Piktorin ashtu siç është në të vërtetë: një delirant që kurrë nuk e ka kuptuar se kryeministri nuk është batutaxhi apo kryeplak katundi, i cili e respekton "BESËlidhjen", por një burrë shteti që i nënshtrohet Kushtetutës dhe ligjit.
Ai zë arriti ta detyrojë të shfaqë fytyrën e tij të vërtetë: fytyrën e një kryeministri që beson se, kur shteti i tij nuk prodhon asgjë për të shitur, kur askush nuk ta blen flamurin kombëtar, gjuhën shqipe, plisin apo krenarinë kombëtare, ti mund të pasurohesh duke nxjerrë në shitje vetë vendin që drejton!
Pra, ai zë rinor ia doli ta demaskojë një njeri që është shpërlarë nga çdo ndjenjë njerëzore e kombëtare në vetvete dhe që nuk e kupton se, sikur vetëm dhjetë veta – e jo aq sa dalin në rrugët e Tiranës – të të quajnë haptazi hajdut e legen, ti nuk meriton më të drejtosh as një kooperativë bujqësore, e jo më një shtet.
Rinia shqiptare, pra, ia doli ta bëjë atë që ne nuk do të mund ta bënim me shkrimet tona as gjatë njëqind viteve të ardhshme: ta dëshmojë se Piktori do ta arrijë të pamundurën – t'i takojnë edhe hajnia, edhe lavdia.
Dhe, duke dashur ta arrijë këtë, ai u rrethua me deputetë, ministra, "opinionistë", pasanikë, akademikë, profesorë, pronarë mediash…, pra me ata si vetja, me ata që e bindën se përmendoren e lavdisë mund ta ndërtosh edhe me kuletën ku i ruan paratë e hajnisë.
Por, sidoqoftë, me ne apo pa ne - të cilët prej vitesh themi se Piktori dhe Tao’të e ‘Rilindjes’ së tij shkatërrojnë e nuk ndërtojnë Shqipërinë - kjo rini ia doli ta shpërfaqë këtë Kryeministër ashtu siç është në të vërtetë: një njeri që e keqpërdor edhe nënën e fëmijës autik, të gjetur rastësisht mes protestuesve, vetëm për të dëshmuar atë që burrështetasit e vërtetë e luftojnë, por e fshehin nga të tjerët: se vendi i tij qenka duke vluar nga terroristët!
Po, rinia që proteston nëpër bulevardet e Tiranës ia arriti asaj që ne nuk do të mund ta bënim kurrë: të dëshmojë se Piktori nuk është kryeministër i Shqipërisë që respekton Kushtetutën dhe ligjin, por drejtuesi i "Aleancës së Qelbësirave", i cili i mirë - ushqen dhe i mban pranë vetëm ata që i servilosen dhe të cilëve nuk u dhimbset as populli, as Shqipëria.
Dhe sot, kjo rini arriti më të rëndësishmen: ta shpërfaqë të vërtetën se Piktorin nuk e brengos fati i vendit dhe as fakti që një ditë nuk do të jetë më kryeministër, por vetëm se kujt do t'ia lërë në dorë "Aleancën e Qelbësirave".
© SYRI.net