Vijon prej ditësh situata alarmante në vendgrumbullimin e mbetjeve në Fushë-Krujë, ku zjarri në malin e plehrave ende nuk është shuar plotësisht dhe tymi i rëndë vijon të përhapet në zonat përreth.
Pamjet janë dërguar nga banorët e Fushë-Krujës, Halilit dhe Kamerasit, të cilët denoncojnë vazhdimin e djegies së mbetjeve dhe pasojat që, sipas tyre, po shkakton kjo situatë në shëndetin e komunitetit.
Banorët shprehen të shqetësuar se, pavarësisht zjarrit aktiv dhe ndotjes së krijuar, depozitimi i mbetjeve vijon në të njëjtën zonë. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për shuarjen e plotë të flakëve dhe marrjen e masave për menaxhimin e mbetjeve.
Denoncimi i ri vjen pak ditë pas akuzave të kreut të PD-së Krujë, Aulon Kalaja, i cili publikoi pamje nga terreni dhe e cilësoi situatën një “katastrofë mjedisore”. Sipas tij, djegia e mbetjeve dhe hedhja e vazhdueshme e plehrave të reja kërkon një reagim institucional.
Ndërkohë, banorët vijojnë të kërkojnë zgjidhje për situatën që, sipas tyre, ka kthyer tymin dhe erën e rëndë në një problem të përditshëm për mijëra qytetarë të zonës.
© SYRI.net