Nga Petrit Vasili/
Askush nuk e ka harruar këngën e dikurshme "Kuvendon Marta me gra".
Por sot, kur shohim batalionin e grave rilindase të lëshuara në media për të mbrojtur Ramën nga protesta, na vjen natyrshëm të themi: "Kuvendon Rama me gra".
Këshilluesit mediatikë, sa me cinizëm e sa me padije, i kanë mbushur Ramës mendjen se lëshimi i grave që të klithin nëpër media budallallëqe pa fund është zgjidhje e paparë.
Këshilltarë të pamëshirshëm e kanë bindur Ramën se vetëm gratë rilindase mund ta marrin përsipër një vetëpërdhosje vetëmohuese të tillë për të mbrojtur Ramën e tyre nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm.
Mjerisht, këto gra, pa asnjë respekt për veten, thjesht janë bërë një lëndë e parë e vyer për meme nga të kripurat.
Zgjidhja "Kuvendon Rama me gra" ka nxjerrë në pah kaq qartë dhe pa mundim mediokritetin e frikshëm të tyre dhe kurajën debile për të lëshuar broçkulla, që nuk i falen edhe një njeriu të zakonshëm.
Niveli katastrofik intelektual i tyre është po aq i lartë sa edhe kurajoja e çmendur për të thënë gafa, që kanë mbetur në memorien kolektive si perla të gomarllëkut ordiner të rrugës.
Garipllëku idiotesk i tyre për t'u shfaqur si gra sokolesha, që vënë përpara, sipas mendjes së tyre, këdo që kanë përballë, pavarësisht se nuk kuptojnë asgjë nga ato që thonë, është poshtërimi më i pamëshirshëm që po u bën Rama vetëm për të kaluar hallin e tij.
"Kuvendon Rama me gra" është padyshim niveli më mizerabël ku ka rënë Rama që kur është shfaqur në politikë.
Fshehja pas fustaneve të amazonave të tij të zellshme, të përkushtuara gjer në vetëmohim, e bën Ramën një figurë aq të pështirë dhe të lodhur, përtej çdo imagjinate.
Ramë, boll kuvendove me gra, dil për zot punëve të tua vetë, lëri gratë në budallallëkun e tyre rilindas, që të vegjetojnë dhe ushqehen me mandatet e deputeteve në xhep, dhe boll i përdore e shpërdore.
Mëshirë për këto gra, se i shplave kaq keq, sa edhe armike t'i kishe, nuk do t'i poshtëroje kaq shumë.
Deri sa ta mbledhësh mendjen, s'na mbetet tjetër veç të këndojmë: "Kuvendon Marta me gra".
© SYRI.net