Revolta qytetare kundër kryeministrit Edi Rama, qeverisë së tij shënon sot, , ditën e saj të 49-të radhazi. Pas një tjetër marshimi masiv mbrëmjen e djeshme, ku protestuesit u stacionuan para godinës së Kryeministrisë, organizatorët kanë bërë thirrje për një pjesëmarrje akoma më të madhe pasditen e sotme.
Kërkesa kryesore e kësaj lëvizjeje, e cila ka mbushur sheshin “Skënderbej” dhe Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” prej javësh, mbetet e pandryshuar: dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i plotë i qeverisë që ka mbajtur peng vendin.
Si çdo natë, edhe në protestën e fundit nuk kanë munguar pankartat me mesazhe të forta ironike dhe satirike të drejtuara ndaj mazhorancës. Sheshi ka jehuar nga brohoritjet që tashmë janë kthyer në simbolin e kësaj kryengritjeje qytetare:
-“Shqipëria kërkon revolucion”
-“Shqipëri e re”
-“Ju erdhi fundi”
-“Rama SPAK you!”
-“Parlament i krimit”
Pas 48 ditësh rezistencë të pandërprerë, koordinatorët e protestës konfirmojnë se revolta nuk ka ndërmend të ndalet dhe se tubimi i sotëm do të jetë një tjetër tregues i vendosmërisë qytetare.
“Ne do të jemi në shesh çdo ditë. Kjo lëvizje vetëm sa do të rritet derisa zëri i sovranit të dëgjohet dhe të plotësohen të gjitha kërkesat tona,” janë shprehur organizatorët, duke ftuar sërish të gjithë qytetarët t’iu bashkohen në Bulevard.
© SYRI.net